Ministrja e pranon, buxheti u mbush nga çmimet e larta!
Deputeti i PS: Qeveria të shpallë një plan kursimi për energjinë elektrike
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, konfirmoi se çmimet e larta kanë mbushur arkën e shtetit për 7 muajt e parë të 2022 me 20 miliardë lekë më shumë.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e ekonomisë, ku u ndryshua buxheti i 2022, Ibrahimaj u kritikua për mungesën e dhënies së paketës së ndihmës sociale për pensionistët dhe shtresat në nevojë. Deputeti i PS-së, Erion Braçe, kritikoi qeverinë dhe kërkoi ndërhyrje sa më shpejt, pasi vendimi është marrë që në fund të korrikut dhe kanë kaluar 3 muaj ku vuri në dukje se prej tre muajsh fermerët nuk kanë marrë asnjë gram. Ministrja Ibrahimaj iu përgjigj se janë 6.1 miliardë lekë që do të përdoren për paketën dhe synimi është shtrirja në kohë e saj për të përballuar rritjen e çmimeve.
DEBATI
Delina Ibrahimaj: Është përgatitur skenari i rishikimit të dytë të buxhetit për vitin 2022 për të mbështetur sektorët e impaktuar nga kriza. Ky rishikimi i bxuehtit ka synim shtrirjen e paketës financiare me qëllim përballimin e mëtejshëm të rritjes së çmimeve, me kosto 6.1 miliardë lekë. Shpenzimet ishin parashikuar 647,6 miliardë lekë dhe bëhen 660,6 miliardë lekë me një diferencë plus 13 miliardë lekë. Në kahun e të ardhurave ka një rritje në masën e 30 miliardë lekë pasi ishte 546,8 miliardë lekë dhe bëhet 576,8 miliardë lekë.
Ndërkohë që deficiti buxhetor zvogëlohet me 17 miliardë lekë. Ky akt normative parashikon një rritje reale ekonomike me 3.2%. Rritja ishte shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë. Kontributin kryesor e kishte ndërtimi. Është një rritje e ndikuar jo vetëm nga rritja e çmimeve, por edhe nga rritja e treguesve ekonomikë. Borxhi publik total për këtë vit pritet të ulet në krahasim me vitin e shkuar. Ne kemi parashikuar si shpenzime 6.1 miliardë lekë për zgjatjen e paketës antikrizë; 1.67 miliardë lekë për kompensimin e materialeve të ndërtimit për kontratat publike; 4 miliardë lekë për të rritur shpenzimet kapitale; 1.72 miliardë lekë për shpenzime për familjet që trajtohen me bonus qiraje; 1.2 miliardë lekë për blerjen e tekstet shkollore.
Erion Braçe: Ju thoni që do të vijoni zgjatjen e mbështetjes sociale me 6.1 miliardë lekë. Kjo zgjatja kur fillon? Sepse qershori, korriku, gushti iku. Dhe bëhet fjalë për shtresat më vulnerabël të ekonomisë. Ato janë goditur më shumë se kushdo tjetër nga rritja e çmimeve që këto muaj vazhdon të mbetet e lartë. Çfarë do marrin? Do të jetë e njëjta paketë apo do ketë diçka ndryshe? Pyetja tjetër që kam është se keni marrë disa vendime qeverie lidhur me bujqësinë. U caktua edhe një fond për vijimin e mbështetjes me naftë falas për bujqit. Prej dy muajsh, ata nuk marrin asnjë gramë naftë falas. Punët janë tani se kanë korrjen dhe plugimin. Nëse nuk punojnë këto muaj harrojeni pranverën e vitit tjetër.
Delina Ibrahimaj: Sa i takon rritjes së të ardhurave, për periudhën janar-gusht ka qenë 53.4 miliardë lekë. 20 miliardë lekë vijnë si pasojë e rritjes së çmimeve. Pjesa tjetër vijnë për shkak të rritjes ekonomike dhe përmirësimi i administrimit fiskal. Kjo është e treguar nga tregues të ndryshëm të ekonomisë. Ka pasur rritje të bizneseve aktive me 11%. Të vendeve të punës me 2%. Kemi pasur rritje të eksporteve dhe importeve. Ju pyetët për paketën e re.
Po hartojmë një paketë të re që do të shpallet për pak ditë. Ishim në kushte të ndryshme kur hartuam paketën e parë. Masat do i drejtohen kategorive që janë më shumë nevojë. E rëndësishme është se kemi krijuar hapësirë në buxhet për këto masa. Janë anonçuar masat që lidhen me bujqësinë. Kemi vendosur të zgjasim mbështetjen për transportin që çmimi i biletës të mos rritet. Janë parashikuar 500 milionë lekë shtesë naftës për fermerët, 500 milionë lekë për fermerët që kultivojnë mbi 1 hektar grurë dhe 200 milionë lekë për sektorin e peshkimit.
Erion Braçe: Parë edhe në luftën që po zgjat, energjia duhet të jetë sfida kryesore në sasi dhe kosto. Kemi detyrim të garantojmë energjinë elektrike edhe për prodhimin. Duhet llogaritur çdo qindarkë. Duhet një plan kursimi që ende nuk është i qartë. Ndonjëherë e marrin me shaka dhe fillojnë e qeshin. Të kursesh në këtë periudhë nuk është tallje. Është jetike. Qeveria duhet të shpallë një plan kursimi për institucionet publike jo shaka.
Zgjoheni në 5 të mëngjesit dhe shikoni se çfarë ndriçon në këtë qytet kot. Kush e do energjinë elektrike për luks duhet ta paguajë me çmim tjetër nga pensionistët. Kjo historia që e themi dhe nuk veprojmë, nuk shkon më. E dyta që kam është paketa sociale. Më shqetëson pa fund kjo gjë. Është shteti ai që duhet t’i mbajë ato kategori sociale. Akti normative është bërë në korrik dhe sot jemi në 6 shtator. Paketa e dalë nga këtu duhet të kishte dalë. Imagjinoni një çift pensionistësh që marrin të dy bashkë 22-23 mijë lekë. Këta njerëz i kanë sytë nga kjo paketë. Kë të nxjerr të punojë atë 70- vjeçarin?
Delina Ibrahimaj: Do të shtyhet miratimi i strategjisë afatmesme të të ardhurave për pas krizës. Paketa e re do të shpallet për pak ditë. Paketa e parë ishte me masa të shpejta pasi ne parashikonim përmirësim të inflacionit por nuk ndodhi prej luftës, prandaj ne po mendojmë për masa të tjera shtesë dhe më afatgjatë për të mbështetur familjet më vunerabël.
Erion Braçe: Duhet ta keni të qartë padyshim që keni komunikim me popullin, po ne deputetët meqë jemi në Komisionin e Ekonomisë, nuk mund t’i marrim vesh nga TV. Kjo është gjëegjëzë.
Edmond Spaho: Kemi çmimin më të lartë të energjisë në rajon 12 kilovatorë me TVSH. Kemi 10 vite që e paguajmë me këtë çmim. Ne prodhojmë 75% të nevojave nga prodhimet e brendshme, nga uji me koston më të ulët të mundshme. Së treti shikoni kush është konsumatori kryesor i energjisë elektrike, janë humbjet në rrjet që shkon 25%. Mos abuzoni me luksin, ca janë 800 kilovatë në muaj në dimër, ne po iu themi as mos të lahen as mos të gatuajnë. Ca alternativash kanë, ka gaz këtu apo dru? Duhet parë me kujdes energjia se do kthehet në bumerang social.
Erion Braçe: Kur flas me luksin e kam fjalën për periferinë e Tiranës. Unë nuk mendoj se ka pensionist që harxhon 800 kilovatë, që ka familje me ndihmë ekonomike apo shtresës së mesme që harxhon 800 kilovatë në muaj. As unë dhe ti nuk harxhojmë kaq dhe pse ngrohemi e ftohemi me kondicioner. Shqetësimi im është me ata që abuzojnë. Vilat e periferisë së Tiranës me 50 ndriçues se kujt i duhet nuk e di, llahtar, vetëm nëse i kanë mbushur vilat me para dhe i ruajnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



