“Mjekët e përdorin QSUT-në si recepsion për klinikat e tyre private”
Gazetari Osman Stafa ka bërë një denoncim të fortë mbrëmjen e djeshme në emisionin “Kjo Javë” në News24, duke hedhur dritë mbi një skandal të thellë në spitalin Onkologjik të QSUT-së, ku pacientët me kancer përballen me vonesa fatale në analizat e biopsisë dhe trajtime të papërballueshme financiarisht.
Stafa deklaroi se ka ndjekur këtë çështje për më shumë se tre vite, duke mbledhur dokumente zyrtare dhe dëshmi direkte nga qytetarë dhe mjekë brenda sistemit, të cilët tregojnë për abuzime sistematike me pacientët më të pambrojtur të shoqërisë.
“Më janë dashur tre vite të kuptoj çfarë ndodh në laboratorin e biopsisë. Shumë qytetarë më kanë shkruar për vonesa me muaj. Nuk mund të vazhdoja vetëm me denoncimet e tyre, më duhej të gjeja dokumente zyrtare — dhe i kam gjetur,” deklaroi gazetari.
Vonesa që kanë kushtuar jetë
Sipas tij, në disa raste, vonesat në analizat e biopsive kanë qenë fatale për pacientët, pasi ata nuk kanë marrë terapinë në kohën e duhur.
“Janë pacientë me kancer. Janë sëmundje që edhe një ditë është shumë. Ka pacientë që kanë ndërruar jetë duke pritur analizat,” u shpreh Stafa, duke theksuar se situata është e njohur nga vetë autoritetet.
Ai akuzoi drejtpërdrejt Ministrinë e Shëndetësisë, duke thënë se institucioni është në dijeni të situatës, pasi ka marrë shkresa zyrtare për problematikat e konstatuara.
“Ministria e di shumë mirë çfarë ndodh në atë laborator. Le të më padisin për shpifje nëse kam thënë ndonjë të pavërtetë. Jam gati ta pranoj burgun,” tha gazetari.
QSUT si ‘recepsion’ për klinikat private
Një tjetër shqetësim i ngritur nga gazetari është praktika e mjekëve të cilët, sipas tij, e përdorin QSUT-në si recepsion për të dërguar pacientët në klinikat e tyre private.
“Nuk mund të tallesh kështu me njerëzit. Janë më të varfrit, më të pambrojturit. Ka mjekë që i marrin pacientët nga spitali publik dhe i çojnë në klinikat e tyre. Biopsitë që bëhen këtu shpesh dalin ndryshe kur dërgohen jashtë shtetit,” theksoi ai.
Stafa tha se disa mjekë brenda vetë QSUT-së kanë denoncuar këto praktika abuzive, por problemet nuk kanë marrë asnjë zgjidhje.
Pacientët e onkologjikut mes varfërisë dhe korrupsionit
Gazetari solli edhe rrethana të rënda sociale që shoqërojnë trajtimin e pacientëve në Onkologjik, duke rrëfyer raste të njerëzve që shesin bagëti për të blerë ilaçet, apo presin muaj të tërë për të mbledhur para për një ndërhyrje kirurgjikale.
“Një pacient priste të shiste viçin që t’i jepte 800 mijë lekë doktorit për t’u operuar. Një tjetër priste të shiste bagëtitë për të blerë ilaçet te farmacitë që janë rrotull spitalit. A është kjo normale?”, u shpreh Stafa i indinjuar.
Thirrje publike për ndërhyrje të SPAK
Në fund të denoncimit të tij, gazetari u bëri thirrje autoriteteve ligjzbatuese, dhe në veçanti SPAK-ut, që të marrin në shqyrtim çështjen, të hetojnë dokumentet e publikuara dhe të nisin një proces penal ndaj përgjegjësve.
“SPAK-u të dëgjojë, të hetojë. Këto janë publike. Unë po dal me dokumente, jo me thashetheme. Nëse kam shpifur, jam gati të shkoj në burg,” tha gazetari, duke e cilësuar situatën si “dramë njerëzore në heshtje”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



