E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Monopoli i dializës, privati merr 2-fish më shtrenjtë se shërbimi publik
Lajme

Monopoli i dializës, privati merr 2-fish më shtrenjtë se shërbimi publik

Shërbimi i dializës përthith mbi 62% të fondeve të financuara nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor, ndërsa transplantet e veshkave zënë vetëm rreth 1% të tyre. Ofruesi dominues i këtij shërbimi mbetet prej vitesh Spitali Amerikan.

Vetëm gjatë vitit 2022, për paketat shëndetësore janë shpenzuar rreth 3 miliardë lekë, ose afërsisht 30 milionë euro. Nga kjo shumë, rreth 15 milionë euro janë kanalizuar drejt spitaleve publike, ndërsa një shumë e barabartë ka përfunduar në institucionet private.

Sipas zv.dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Ilir Alimehmeti, kjo ndarje e fondeve tregon qartë një orientim të qëllimshëm. “Skema është ndërtuar për të financuar sektorin privat, duke e lënë sistemin publik në disavantazh dhe duke krijuar hapësira të dyshimta për përfitime financiare”, u shpreh ai.

Në këtë kontekst, duke iu referuar një raporti ku evidentohet pozita dominuese në disa shërbime specifike dhe ekskluzive, Autoriteti i Konkurrencës njoftoi në prill të vitit 2025 nisjen e hetimeve ndaj Spitalit Amerikan dhe spitalit Hygeia. Megjithëse hetimet vijojnë, të dhënat mbi kontrollin e tregut flasin qartë, duke përfshirë edhe ndërhyrje jetike si trombektomia, të cilat mbeten nën kontrollin e bizneseve private të lidhura me Klodian Allajbeun.

Favorizimi i sektorit privat vërehet qartë edhe në çmimet e përcaktuara nga FSDKSH për shërbimin e dializës. Sipas paketës zyrtare, shteti i rimburson institucioneve private 12.106 lekë për çdo seancë dialize. Logjikisht, i njëjti shërbim do të duhej të kishte të njëjtin kosto edhe në spitalet publike.

Megjithatë, një tender i hapur nga QSUT në vitin 2023 për furnizimin me materiale dialize tregon një realitet tjetër. Dokumentet zyrtare tregojnë se një seancë dialize në sistemin publik kushton vetëm 6.110 lekë, pra rreth dy herë më pak sesa në sektorin privat.

“Zgjidhja korrekte do të ishte që Fondi të rimbursonte vetëm koston reale të shërbimit në publik. Nëse dikush zgjedh privatin, atëherë diferenca duhet të paguhet nga xhepi i vet”, shpjegon Alimehmeti.

Ekspertët e shëndetësisë e konsiderojnë këtë situatë si një skemë të mirëorganizuar që favorizon privatin në kurriz të eficiencës së fondeve publike. “Nëse shërbimi kushton më pak në publik, pse transferohet në privat? Përgjigjja është e qartë: për shkak të përfitimeve financiare shtesë. Korrupsioni duket si shkaku kryesor, ndërsa keqqeverisja si pasoja”, thekson Alimehmeti.

Një tjetër shqetësim lidhet me mungesën e kontrollit mbi zbatimin e protokolleve mjekësore në spitalet private. Sipas profesionistëve të fushës, ndërsa institucionet publike monitorohen rreptësisht, mbetet e paqartë se si funksionon kontrolli në sektorin privat ku orientohen pacientët.

“Protokollet mjekësore janë të detyrueshme si për publikun ashtu edhe për privatin. Institucionet që nuk i zbatojnë duhet të ndëshkohen”, deklaron mjeku Edi Tushe.

Edhe pedagogë dhe studiues të shëndetësisë theksojnë se rritja e sektorit privat nuk është shoqëruar me auditim serioz dhe standarde të qëndrueshme për pacientët. “I njëjti mjek punon si në shtet, ashtu edhe në privat. Ndryshon infrastruktura, por jo domosdoshmërisht protokolli, ndërsa interesat ekonomike mbeten prezente”, shprehet studiuesi Taulant Muka.

Në thelb, mungesa e protokolleve të detyrueshme dhe e kontrollit efektiv krijon terren të favorshëm për përfitime miliona euro për sektorin privat. Pacientët orientohen gjithnjë e më shumë drejt spitaleve private të kontrolluara nga Klodian Allajbeu, i cili sot mban një peshë vendimtare në shërbimet jetike shëndetësore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.