Nderimi i Ruçit është dekoratë turpi z. Thaçi!
Për turpin e tij, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dekoruar Gramoz Ruçin me medaljen “Urdhëri i Lirisë”. Sipas Thaçit, kjo medalje jepet për kontributin personal të tij i cili vlerësohet si “unifikues dhe bashkues për gjithë spektrin politik në Shqipëri, në mbështetje të përpjekjeve të jashtëzakonshme në kohën e luftës, por edhe në përpjekjet e tranzicionit demokratik në Kosovë, të shpalljes së pavarësisë”. Kjo dekoratë iu akordua z. Ruçi, gjatë vizitës së tij në Kosovë, për herë të parë që pas marrjes së detyrës si kryetar i Kuvendit.
Z. Thaçi duhet të dijë se Ruçi është një nga reliket e vjetra më tipike të regjimit komunist, i mbetur si kockë e fortë në politikën shqiptare që ende nuk është çliruar nga kthetrat e së shkuarës. Z. Ruçi përfaqëson vijimsinë e atij regjimi dhe figura e tij nuk ka asnjë lidhje me lirinë, përkundrazi, ajo është simbol i reflekseve diktatoriale dhe mentalitetit totalitar, të trashëguar në mënyrë të pashlyshme nga ai regjim.
Z. Ruçi është ministri i fundit brendshëm i Ramiz Alizë, si njeri besnik i regjimit, vijimsisë së të cilit ai i ka shërbyer me devocion gjatë gjithë karierës së tij politike. Ai mban mbi shpinë akuza të shumta, gjatë kësaj periudhe, si zhdukjen e shumë dosjeve të Sigurimit të Shtetit, për të penguar zbardhjen e shumë të vërtetave nga koha e diktaturës, si dhe akuzat mbi përgjegjësinë mbi trazirat e 4 shkurtit në Shkodër, ku mbeten të vrarë 4 njerëz, mes tyre edhe Dëshmori i Demokracisë Arben Broci, një nga liderët e lëvizjes studentore të vitit 1990 që rrëzoi regjimin.
Përveç kësaj, Gramoz Ruçi nuk ka bërë absolutisht asgjë për Kosovën, në asnjë rast. I vetmi kontribut i tij pas rrëzimit të qeverisë socialiste në 1991 me protesta masive popullore, ka qenë i fokusuar në organizimin dhe mbajtjen më këmbë të partisë, për të siguruar vijimsinë e pushtetit. Dhe natyrisht, ai i përket asaj shkolle politike, të formësuar nga Enver Hoxha, e cila e ka parë gjithmonë Kosovën si diçka të huaj dhe shpesh, si një problem. Për vite me rradhë, ata që arratiseshin nga regjimi jugosllav duke kaluar kufirin për në territorin shqiptar, janë arrestuar, torturuar e persekutuar nga regjimi i tij, të cilit Ruçi vazhdon t’I shërbejë.
Ndër të tjera, Gramoz Ruçi ka një njollë të pashlyeshme edhe në rrafshin ndërkombëtar. Ai ka qenë për një kohë të gjatë i padëshiruar nga SHBA-të, ku nuk ka mundur të marrë kurrë vizë as për vizita private. Rikthimi i tij në pozicione të larta shtetërore është një turp për Shqipërinë dhe një tregues i faktit se regjimi komunist është ulur këmbëkryq në politikën shqiptare, ndaj nuk ka sesi figura e tij të nderojë Kosovën, së cilës nuk i ka shërbyer kurrë.
Vetë Ruci ka pohuar në fjalën e tij së është hera e parë që nderohet me një dekoratë. Thellë-thellë, edhe vetë Ruci e kupton që karriera e tij e pavlerë nuk ka asgjë për tu nderuar. Civitas
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


