Ndeshja skandaloze Argjentinë-Egjipt, FIFA përjashton arbitrin Letexier
Arsyeja reale e vendimit nuk lidhet me polemikat e sfidës që gjykoi
FIFA ka vendosur që arbitri francez François Letexier të mos jetë më pjesë e ndeshjeve të mbetura në Kupën e Botës, një vendim që fillimisht u interpretua si pasojë e polemikave të forta pas sfidës Egjipt–Argjentinë në fazën e 1/8-ave.
Megjithatë, institucioni më i lartë i futbollit botëror ka sqaruar se kjo lëvizje nuk ka lidhje me performancën apo debatet e krijuara, por vjen si rezultat i një rregulli të qartë të turneut.
Sipas rregullores së komitetit të arbitrave të FIFA-s, të gjithë gjyqtarët që përfaqësojnë vendet që arrijnë në gjysmëfinale përjashtohen automatikisht nga drejtimi i ndeshjeve të mbetura. Kjo masë synon të garantojë paanshmërinë dhe integritetin e garës, duke shmangur çdo konflikt të mundshëm interesi.
Përjashtimi i Letexier lidhet drejtpërdrejt me faktin që Franca ka siguruar një vend në gjysmëfinale. Për të njëjtën arsye, nga lista e arbitrave janë tërhequr edhe Clément Turpin, si dhe gjyqtarë nga Spanja, Argjentina dhe Anglia – të gjitha kombëtaret që vijojnë garën në këtë fazë.
Ndërkohë, Jérôme Brisard do të mbetet pjesë e turneut, por vetëm në rolin e arbitrit të sistemit VAR. Ai nuk ka drejtuar asnjë ndeshje si arbitër kryesor gjatë këtij Botërori, duke qenë i angazhuar ekskluzivisht në dhomën e videos.
FIFA thekson se ky nuk është një vendim disiplinor ndaj Letexier, por një procedurë standarde që zbatohet në çdo edicion të Kupës së Botës, për të ruajtur besueshmërinë dhe drejtësinë sportive.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



