Në 2021 borxhi kapërceu 80 për qind
Qeveria vlerëson se borxhi publik në 2021 do të tejkalojë 80 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe synon që ta ulë atë poshtë nivelit 75 për qind brenda vitit 2025, sipas kuadrit makroekonomik fiskal të miratuar nga ana e Këshillit të Ministrave.
“Më konkretisht, duke marrë të mirëqena supozimet dhe projeksionet e tjera të KMF-së aktuale, respektimi në mënyrë të përvitshme i këtij objektivi të parametrit të balancës primare, pritet të çojë në një reduktim të nivelit të borxhit publik bruto rreth nivelit prej 74.6 për qind të PBB-së deri në vitin 2025 nga rreth 80.1 për qind që pritet të rezultojë më 2021”, thuhet në planin e Qeverisë.
Kjo do të thotë se tre në tre vitet e ardhshme shpenzimet për investime do të reduktohen, ose do të gjenden burime alternative të të ardhurave për kryerjen e tyre, mes të cilave njëra është skema PPP, një pjesë e mirë e të cilave nuk pasqyrohen në shifrat zyrtare si borxh, duke nxitur akuzat e opozitës se borxhi real po shkon rreth 100 për qind të PBB-së.

“Në çdo ligj vjetor të buxhetit, fillestar apo të rishikuar, si dhe në planifikimet e buxhetit afatmesëm, raporti i borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto do të planifikohet më i ulët se niveli i vlerësuar për vitin pararendës, deri atëherë kur niveli i borxhit të arrijë dhe të qëndrojë poshtë nivelit 45 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto”, thuhet në kuadrin fiskal deri në 2025 të Qeverisë.
Ky rregull në ligjin e borxhit u përfshi në korrik të vitit 2020 si rekomandim i Bashkimit Europian. Por aplikimi i këtij rregulli hyn në fuqi duke filluar nga viti 2024, që do të thotë se nga ky moment balanca primare faktike nuk mund të rezultojë negative, pra duhet të jetë së paku e balancuar ose pozitive.
“Ky target i parametrit të balancës primare buxhetore do të përbëjë tashmë dhe në vijimësi objektivin kryesor operativ të politikës fiskale për të materializuar synimin e një trajektore vijimësisht rënëse të borxhit publik, pra duke synuar konsolidim të vijueshëm fiskal me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë së financave publike si një fondament kyç i stabilitetit makroekonomik dhe mbarë-vajtjes së ekonomisë së vendit”, thuhet në dokumentin e Qeverisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



