Në Bruksel kërkojnë që ura mbi Ibër të hapet sa më shpejt
Në raportin e plotë për Kosovën që u miratua ditë më parë nga Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, është vlerësuar progresi i Republikës së Kosovës në raport me procesin e liberalizimit të vizave, megjithatë ka pasur edhe kritika për mos përmbushjen e disa marrëveshjeve teknike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Në pikën 34 të këtij raporti ky Komitet, bënë thirrje për hapjen sa më të shpejtë të Urës së Ibrit, dhe kërkon respektimin e plotë të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.
“Bëjmë thirrje edhe një herë për hapjen e shpejtë dhe të pa penguar të urës së Mitrovicës, e cila përbën një hap të rëndësishëm të ribashkimit të qytetit. Bëjmë thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjes së lirisë së lëvizjes, dhe u bëjmë thirrje autoriteteve serbe dhe kosovare që të nxisin kontaktet ndërmjet komuniteteve lokale në mënyrë që të forcohet dialogut”, thuhet në raportin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Lidhur me këtë çështje drejtuesi i dialogut teknik në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Avni Arifi, në një prononcim për Gazetën Express, thotë se Ura e Ibrit është dashur që të hapet qysh në muajin Prill të këtij viti, megjithatë sipas tij një gjë e tillë po bllokohet nga Serbia e cila nuk po i implementon marrëveshjet e arritura në Bruksel.
“Sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, Ura e Ibrit është dashur të hapet qysh në muajin Prill të këtij viti. Nuk ka asnjë arsye pse një marrëveshje e tillë nuk po implementohet. Ajo është njëra prej disa marrëveshjeve të cilat Serbia po i mbanë peng dhe nuk po i implementon, sikurse marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve dhe ajo për energji”, është shprehur Arifi.
Sipas tij çështja e bllokimit të hapjes së Urës mbi lumin Ibër është peng i politikës bllokuese të Serbisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



