Nëse KM do të zbulojë naftë në Shpirag….
Panajot Soko
Lexova KM që thoshte se mezi pret fundin e vitit kur SHELL do të marrë vendimin nëse do të investojë ose jo për të zhvilluar Shpiragun.
E zëmë se vendos që “Po, do ta nxjerrë naftën që ka në Shpirag”, përveç faktit që buxheti do të marrë rentën minerare, s’ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme.
Sepse dhe nafta e Shpiragut, si ajo e Patos Marinzës, Cakranit, Gorishtit et., jashtë do të shkojë, në eksport. Se ne s’kemi rafineri, se këta e shkatërruan rafinerinë. E nisi Saliu që e privatizoi tek një tufë hajdutësh dhe drynin ja vuri Edi që pasi ndërroi hajdutët e Saliut me hajdutët e vet, e shiti për skrap.
Që shqiptarët e thjeshtë të shohin një farë përfitimi direkt nga nafta që nxirret në Shqipëri, duhet rafineria. Duke e rafinuar naftën vendase në rafineritë vendase, shqiptarët do të kishin diesel dhe benzinë me çmim më të ulët, pasi do të lehtësohej çmimi nga kostot e transportit që kanë tani që e sjellim nga jashtë.
Dhe kjo do të vazhdojë edhe sikur SHELL të nxjerrë naftën e Shpiragut. Jashtë ka për të shkuar dhe ajo, si shoqet.
Dhe kjo teoria e Fondit Sovran. Norvegjia ka ngritur një fond të tillë, po aty naftën e nxjerr vetë shteti. Është kompania shtetërore ajo që nxjerr dhe shet naftën dhe paratë që fiton i kalon tek Fondi Sovran. Naftën e Shpiragut, si atë të Patos Marinzës, do ta nxjerrë dhe do ta shesë konçesionari. Shtetit ka për të marrë vetëm Rentën Minerare dhe Tatim Fitimin (këtë të fundit kur të vijë koha pas nja 10 vjetësh sa të rekuperohen investimet) që natyrisht do të shkojnë në buxhet, siç shkon çdo e ardhur shtesë që vjen gjatë një viti nga renta apo tatim fitimi. Kaq është historia.
Janë të tjera lloj shtetesh ato që vërtet e shijojnë bekimin e të pasurit pasuri minerare. Janë shtete që punojnë për qytetarin. Ju keni 30 vjet që punoni për xhepin tuaj.
Ju dhe shokët tuaj, ja patë hairin këtyre pasurive natyrore, shqiptarët as kanë parë, as nuk kanë për të parë, sa të jeni ju.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



