E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga“Top Seven”te rrjeti i pastrimit të parave nga Orges Bircajt & co
Sot

Nga“Top Seven”te rrjeti i pastrimit të parave nga Orges Bircajt & co

 Tempulli i ri i parasë së pistë në bregdetin shqiptar dhe Tiranë

| Nga Redaksia Publik.al |

Në bregun e ndritshëm të Palasës, aty ku luksin e stinës e shoqëron aroma e betonit të ri dhe zhurma e motorëve të makinave “supercar”, qëndron një ndër lokalet më të përfolura të verës shqiptare: “Sin Lounge”. Me fasadën e një resorti modern dhe emrin që ironizon vetë mëkatin, “Sin” është shumë më tepër se një destinacion i pasurish sezonale. Sipas burimeve të sigurisë dhe hetimit, një qendër injektimi të kapitalit të paligjshëm të ardhur nga rrjetet e trafikut dhe korrupsionit.

Nga Dubai dhe Valencia në Palasë  rrjeti që pastron përmes “Top Seven”, klabeve e vilave

Burime të brendshme nga Drejtoria e Antikrimit Ekonomik konfirmojnë për Publik.al se aktiviteti financiar i “Sin Lounge” mbështetet nga rrjeti i Orges Birçajt dhe Erinda Lutajt, çifti që në letra shfaqet si ndërtues i ligjshëm në Tiranë, por që në terren përfaqëson një strukturë të njohur për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe transferimin e kapitalit të fituar nga tregjet e paligjshme drejt sektorëve të ligjshëm të ekonomisë.

Në Spanjë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Birçaj njihet si pjesë e një grupi që kontrollon linja logjistike të dërgesave me përmbajtje të dyshimtë përmes rrjeteve detare dhe transportit të mallrave. Hetime të mëparshme kanë treguar se pjesë e fitimeve të këtij rrjeti janë kanalizuar në Shqipëri përmes ndërtimit dhe turizmit luksoz, me “Sin Lounge” si pikë kulmore të qarkullimit sezonal.

Në verë, pastrimi ndodh në ditë me diell

Nga qershori në shtator, miliona euro qarkullojnë në dhjetëra lokale të bregdetit jugor, pa asnjë gjurmë bankare. Një pjesë e mirë e këtij fluksi përqendrohet në Palasë dhe Dhërmi, ku pagesat bëhen me para në dorë, shpesh në shuma të mëdha që kalojnë pa kupona tatimorë.

Sipas një raporti të brendshëm të Tatimeve (që redaksia jonë ka siguruar në mënyrë konfidenciale), gjatë korrikut 2025, në “Sin Lounge” janë evidentuar mbi 430 transaksione ditore “cash” me vlerë mbi 500 euro, ndërkohë që subjekti nuk ka deklaruar asnjë shifër për transaksione elektronike.

Ky model është tipik për strukturat e pastrimit të parave përmes qarkullimit fiktiv të shërbimeve: injektim kapitali të pistë gjatë sezonit, deklarim minimal fitimi në fundvit dhe rritje e pasurisë për pronarët “formalisht” pa borxhe.

Kulla në Laprakë, lavatriçja e madhe e kapitalit

 

Në fund të qershorit 2025, vetëm një javë pasi kryeministri Edi Rama deklaroi me entuziazëm ndërtimin e më shumë kullave në Tiranë, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi 11 leje të reja ndërtimi, mes të cilave edhe një kullë 35-katëshe në Laprakë  e quajtur “Top Seven Tower”.

Pas kësaj ndërtese që pritet të ndryshojë pamjen e zonës fshihet një histori shumë më e errët se arkitektura e saj. Dokumente zyrtare, burime tatimore dhe hetime të pavarura të redaksisë sonë zbulojnë një rrjet të dyshuar pastrimi parash, korrupsioni dhe lidhjesh me grupe kriminale ndërkombëtare të trafikut të drogës.

“Top Seven Construction”: kompania fantazmë me leje për 80 milionë € investim

Kompania “Top Seven Construction Sh.p.k.” është krijuar më 9 qershor 2023 nga Erinda Selaudin Lutaj, me vetëm 1 milion lekë kapital fillestar. Brenda 3 muajsh nga krijimi, ajo aplikoi për një leje ndërtimi të tipit superluksoz për një investim me vlerë 80 milionë euro në Laprakë.

Sipas deklarimeve në QKB dhe tatime, kjo kompani:

  • Ka vetëm 3 punëtorë të regjistruar,
  • Ka deklaruar 960 milionë lekë humbje,
  • Ndërkohë që pronarja Erinda Lutaj ka 3 kredi të papaguara në banka me vlerë 192 milionë lekë, në emër të një firme tjetër të lidhur, “Top Seven Sh.p.k.”.

Vetë kapitali i kompanisë është marrë me këste prej 8.300 lekë në muaj nga kompania mëmë. Si mund të justifikohet një investim prej 80 milionë eurosh në një ndërtesë 35-katëshe me këtë profil financiar? Asnjë dokument që shpjegon burimin e fondeve nuk është paraqitur në dosjen e lejes.

Sekuestro e anuluar brenda 24 orësh

Më 19 shkurt 2024, Zyra Përmbarimore “A.Vako” vendosi sekuestrimin e 100% të aksioneve të “Top Seven Sh.p.k.”. Por çuditërisht, brenda vetëm një dite, më 20 shkurt 2024, sekuestrimi u hoq me ndërhyrje nga lart, sipas burimeve brenda sistemit përmbarimor dhe të drejtësisë. Ky episod ka ngritur alarme mbi mbrojtjen politike dhe institucionale që gëzon kjo kompani.

Frida Krifca, “nusja e kullës” dhe milionat e zhdukur të BE-së

Kulla është quajtur në qarqet e ndërtimit si “Kulla e Lutajve”, por më saktë si “Kulla e Frida Krifcës”, ish-ministre e Bujqësisë dhe më parë drejtoreshë e AZHBR institucioni që menaxhonte fondet IPARD të BE-së për fermerët shqiptarë.

Frida Krifca është nuse në familjen Lutaj dhe e lidhur drejtpërdrejt me strukturën financiare të kompanisë. Kujtojmë se gjatë drejtimit të saj në AZHBR, u zhdukën 135 milionë euro fonde nga Bashkimi Europian, skandal për të cilin është në hetim edhe nga Prokuroria e Posaçme.

Ka dyshime të forta se paratë e zhdukura nga fondet IPARD po qarkullojnë përmes “Top Seven” në ndërtimin e kullës 35-katëshe, një lavatriçe gjigante për të bërë të bardhë pasurinë e grabitur.

Orges Birçaj dhe banda e Vlorës  nga Dubai në Laprakë

Sipas të dhënave që Publik.al ka siguruar nga burime në strukturat kundër krimit të organizuar në Vlorë dhe Tiranë, financuesi real i kullës është banda e trafikut ndërkombëtar të drogës me bazë në Spanjë dhe Dubai, e drejtuar nga Orgës Birçaj.

  • Deri më 15 janar 2021, Orgës Birçaj ka qenë administrator i “Top Seven Sh.p.k.”.
  • Aktualisht figuron si Drejtor Shitjesh në kompani, me një pagë 1.2 milionë lekë, por de facto drejton dhe kontrollon flukset financiare.
  • Një nga njerëzit kyç të këtij rrjeti, Bledar Birçaj, u vra në një atentat mafioz më 10 maj 2021 në Vlorë, për prishje pazari.

Erinda Lutaj, e cila sipas informacioneve është bashkëshortja e Orges Birçajt, është figura që shërben për të “përtuar” në letra pasurinë e dyshuar kriminale, duke përdorur emrin dhe statusin e saj formal si ndërtuese.

SPAK dhe BE, a do veprojnë?

Ndërsa qeveria e reklamonte ndërtimin si motor të zhvillimit ekonomik, rastet si ky e nxjerrin në pah fytyrën e vërtetë të ndërtimit si mjet për pastrim parash dhe përfshirje të fondeve të BE-së në skema kriminale.

Në Tiranë, “Sin” ka binjakun e tij urban: “Top Seven Tower” në Laprakë, një projekt ndërtimi 35-katësh me vlerë 80 milionë euro. Kompania që qëndron pas tij, Top Seven Construction Sh.p.k., është regjistruar në 2023 nga Erinda Selaudin Lutaj me kapital minimal. Vetëm disa muaj më pas, kjo kompani mori miratimin për ndërtimin e një prej kullave më të mëdha në kryeqytet, pa paraqitur asnjë provë për burimin e fondeve.

Të dhënat nga QKB tregojnë se kompania ka vetëm tre punonjës dhe deklaron humbje të mëdha, ndërkohë që në të njëjtën kohë mban aktive kredi të papaguara dhe transaksione të brendshme midis firmave fantazmë.

Kjo përbën një model klasik të pastrimit përmes ndërtimit – ku paratë e gjeneruara në sektorin informal, si trafiku apo korrupsioni publik, injektohen në projektet e ndërtimit për të dalë të “pastera”.

“Nusja” e kullës dhe miliona e BE-së që u zhdukën

Emri i Frida Krifcës, ish-ministre e Bujqësisë dhe ish-drejtuese e AZHBR, shfaqet në këtë histori jo rastësisht. Ajo është e lidhur familjarisht me familjen Lutaj dhe sipas burimeve, ka luajtur rol në krijimin e mbulesave legjitime për kapitalet që qarkullojnë në projektet “Top Seven”.

Kujtojmë se gjatë mandatit të saj në AZHBR, 135 milionë euro fonde IPARD u zhdukën nga skemat e ndihmës për fermerët – fonde që Komisioni Europian i kërkoi qeverisë shqiptare t’i justifikojë me audit të veçantë.

Tani, hetimet për pastrimin e këtyre fondeve janë fokusuar tek projektet urbane dhe turistike të familjes Lutaj- Birçaj, ku “lokale dbe vila në Palasë” dhe “Top Seven Tower” janë dy skajet e së njëjtës lavatriçe financiare.

Në mbrojtje të mëkatit, heshtja e institucioneve

Përmbarimi privat që vendosi sekuestrimin e kompanisë “Top Seven” më 19 shkurt 2024 e hoqi atë brenda 24 orësh. Një burim nga sistemi gjyqësor tha për Publik.al se ky është një rast i rrallë ndërhyrjeje politike që shkon deri në nivele të larta të qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë.

Në të njëjtën kohë, Bashkia Tiranë dhe Këshilli Kombëtar i Territorit nuk kanë dhënë asnjë shpjegim publik mbi kontrollin e fondeve apo burimin e kapitalit të ndërtimit.

Ndërsa në jug, policia lokale e Himarës mbyll sytë ndaj aktiviteteve të “Sin Lounge”, me pretekstin se “është biznes turistik që sjell punësim dhe promovim”.

Apeli i Publik.al: Hetim ndërkombëtar dhe ndalim lejes së ndërtimit

Publik.al kërkon:

  1. SPAK të hapë një hetim financiar për “Top Seven Construction” dhe lidhjet me “Sin Lounge” dhe rrjetin Lutaj–Birçaj;
  2. Delegacioni i BE-së në Tiranë të kërkojë një audit ndërkombëtar të fondeve IPARD, duke ndjekur gjurmët e kapitalit që përfundon në ndërtimet urbane;
  3. Bashkia Tiranë dhe KKT të pezullojnë menjëherë lejen e ndërtimit për “Top Seven Tower” derisa të verifikohen burimet e financimit;
  4. Tatimet dhe Policia Financiare të monitorojnë qarkullimin e “Sin Lounge” dhe të lokaleve të tjera të lidhura në bregdetin jugor gjatë sezonit 2025.

Epilog: Bregdeti i pastruar nga deti, jo nga paratë

“Sin Lounge” është vetëm maja e ajsbergut të një ekonomie të tërë që funksionon mbi luksi të inskenuar dhe pasuri të kriminalizuar.

Nëse institucionet e drejtësisë nuk veprojnë, Palasa  dhe Jugu do të mbetet jo simbol i turizmit elitar, por dëshmia më e dukshme se si paraja e pistë shndërrohet në pasuri të ligjshme nën hijen e palmave dhe dritave LED.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.