“Niku i Ndraghetës” synon 1.5 Mln € e ambulancave të Urgjencës
Kërkon përgjysmimin e garancisë
Edhe pse nën hetim nga SPAK për lidhje me aferat e ‘Ndragheta’-s dhe për skemat e paracaktimit të tenderave, biznesmeni Besnik Halili i njohur ndryshe si “Niku i Ndraghetës” vazhdon të diktojë procedurat e prokurimeve publike në sektorin e shëndetësisë.
Këtë herë, objektivi i tij është tenderi prej 1.5 milionë eurosh për blerjen e 14 autoambulancave të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore (QKUM), me pajisje dhe aparatura mjekësore të integruara.

Si po manipulohet tenderi
- Tenderi u shpall më 28 korrik 2025 me fond limit 146.3 milionë lekë pa TVSH.
- Më 5 gusht 2025, kompania e Halilit GTS – Gazra Teknike Shqiptare i dërgoi Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) dhe QKUM-it një ankesë për ndryshimin e kritereve.
- Në formularin e ankesës, Halili vetë rriti fondin limit në 150 milionë lekë pa TVSH – duke ia lehtësuar punën komisionit të drejtorit Skënder Brataj.
- Kërkesa kryesore: ulja e garancisë së ambulancave nga 4 vite në vetëm 2 vite – një ndryshim që bie ndesh me kriteret zyrtare të vendosura në dokumentet e tenderit dhe e favorizon operatorin e tij.
- Po ashtu, Halili kërkon zëvendësimin e kërkesës për inxhinier mekanik të specializuar me një teknik të mesëm, madje edhe me profil biomjekësor – duke ulur standardet teknike të shërbimit.
-
Kështu, më 5 gusht 2025, GTS- Gazra Teknike Shqiptare, kompania e Halilit, ka çuar ankesën në KPP dhe në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Ndryshimin e parë e ka bërë vetë në formularin e ankesës. Fondin limit që zyrtarisht është 146 315 245,00 lekë e ka rrumbullakosur dhe e ka çuar në 150 000 000,00 lekë pa TVSH. Mos të lodhen kor ata të komisionit të Bratajt, se vlerën e blerjes së llogariti vetë operatori ekonomik.

Me këto lekë do të blihen 14 autoambulanca, ku njëra prej të cilave do të ketë pajisje ndihmëse bazë si në sallën operatore. Ndërsa mjetet duhet të dorëzohen brenda 3 muajve nga dita e nënshkrimit të kontratës.

Kërkesa kryesore e GTS lidhet me garancinë e autoambulancave. Halili e ul në 2 vjet nga 4 afatin e garancisë që e kërkon QKUM në procesverbalin e argumentimit të kritereve.
Me sa duket, Halili ka kapur një lapsus në formulimin e kushtit për garancinë tek kriteret e kualifikimit, në gjuhën shqipe. “Duke qene se autoambulancat duhet të kenë garanci nga prodhuesi ose distributori i autorizuar prej tij 2 vjet, për pjesën motorike, mekanike, elektrike e të tjerë, operatori ekonomik duhet të paraqesë një preventiv të shërbimeve të mirëmbajtjes profilaktike periodike që kanë të nevojshme këto autoambulanca për periudhën e garancisë”, shkruhet në dokumentet standarde të tenderit.
Ndërsa në variantin anglisht të procesverbalit, kjo pikë është përcaktuar: “garancia jo më pak se 4 vjet ose 100 mijë kilometra”. Por propozimi i Besnik Halilit është që garancia e autoambulancave të jetë 2 vjet, nga 4 vjet që është kërkesa. “2-vjetëshi” që ka gjetur gabim Halili lidhet thjesht me mirëmbajtjen, e cila nuk futet në çmim.
Profili i “Nikut”
Besnik Halili u bë i njohur për publikun pas publikimit të përgjimeve të autoriteteve italiane mbi klanin mafioz ‘Ndragheta’, ku identifikohej si “Nik” – ndërmjetës për leje ndërtimi në Tiranë për kullat e mafias italiane.
Ai kontrollon një kartel kompanish të lidhura mes tyre:
- GTS – Gazra Teknike Shqiptare, Messer Albagaz, Hydro Energy Sotira, Idro Energia Pulita, Green Tech, N3H, Sofigaz, etj.
- Përmes tyre, dyshohet për fatura fiktive, transaksione bankare për fshehje parash dhe trukim tenderash në bashkëpunim me zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera publike.
Dosja e SPAK
Sipas hetimeve, nga viti 2014 deri sot, Halili ka lidhur 223 kontrata publike, kryesisht në furnizimin e spitaleve me oksigjen mjekësor.
- Në vitin 2019, dy tendera gjigantë për oksigjenin mjekësor u fituan nga GTS dhe Messer Albagaz pas paracaktimit të kritereve, me vlerë totale mbi 4 miliardë lekë të vjetra.
- Procedurat janë ndërtuar për të shmangur tenderët ndërkombëtarë, duke ndarë artificialisht sasitë dhe fondet, për të mbajtur konkurrencën brenda një rrethi të mbyllur.
Në maj 2024, SPAK dhe BKH kryen kontrolle të gjera në zyrat dhe banesat e Halilit, të bashkëshortes së tij Luneda Sufali (drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror), të vëllait Ergys Halili dhe dhjetëra bashkëpunëtorëve të tij, duke sekuestruar kompjuterë, telefona dhe dokumente që provojnë lidhjet e drejtpërdrejta me manipulimin e tenderave.
Rreziku i radhës
Nëse kërkesat e Halilit pranohen nga KPP, tenderi për ambulancat rrezikon të jetë një tjetër skemë ku paratë publike kthehen në pasuri private, standardet teknike bien ndjeshëm, dhe qytetarët marrin shërbime më të dobëta – ndërkohë që një person nën hetim nga SPAK vazhdon të kontrollojë sektorë kyç të shëndetësisë publike.
Publik.al po ndjek nga afër këtë procedurë dhe do të publikojë çdo dokument e fakt të ri mbi këtë aferë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



