Një grup planifikonte eliminimin e Gledis Nanos, ish-kryepolici nuk vihet në dijeni për situatën, asnjë masë shtesë sigurie për të dhe familjen
Policia e Shtetit ka administruar së fundmi një informacion se një grup kishte planifikuar të ekzekutonte ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nanon.
Policia nuk e ka vënë në dijeni për situatën ish-drejtorin e përgjithshëm të Policisë së shtetit, Gledis Nanon.
Policia e Shtetit vijon hetimet lidhur me këtë informacion, të cilat po zhvillohen në mënyrë sekrete dhe ende nuk asnjë informacion zyrtar, ndërsa policia e pyetur nga News24, as nuk e mohon dhe as e pohon rastin. Burime bëjnë me dije se dyshohet se plani për eliminimin e Gledis Nanos po organizohej nga një grup që Nano e ka hetuar kur ka qenë në detyrë në polici më parë si drejtues i Antiterrorit.
Gledis Nano nuk është vënë në dijeni nga Policia dhe as ndaj familjes së tij nuk janë shtuar as masat mbrojtëse nga policia e shtetit.
Kujtojmë që Nano u shkarkua si drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 31 gusht 2022 vetëm pas 10 muajsh në detyrë, me argumentin e qeverisë se nuk kishte realizuar objektivat dhe deri sot ende ndodhet jashtë policisë së shtetit.
Gledis Nano vjen nga një karrierë 19-vjeçare në Polici, ku para se të emërohej kryepolic, drejtoi për 5 vite Antiterrorin, ku u vlerësua edhe nga Ambasada amerikane për përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit.
Veç trajnimeve të ndryshme ndërkombëtare nga agjenci të njohura në fushën e sigurisë, Gledis Nano në vitin 2017 u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia. Pak ditë më parë Nano ishte në një vizitë në SHBA.
Megjithatë, fakti që Gledis Nano kërcënohet kaq rrezikshëm nga një prej superkriminelëve, hedh dyshime se i gjithë ky operacion ka një prapaskenë po aq të rrezikshme sa ç’është edhe fakti i marrjes përsipër të këtij akti.
Përse kërcënohet jeta e Nanos, kur ai tashmë nuk ka asnjë rol të rëndësishëm në hierarkinë e forcave të rendit?
Përse, kur marrja përsipër e këtij akti, është një rrisk i madh, pasi duke kërcënuar jetën e një oficeri tejet të rëndësishëm, ai që e llogarit këtë përpjekje, i siguron jetës dhe veprimtarisë së tij, një të ardhme thuajse të zezë?
Ka vetëm një logjikë këtu. Ai që ka porositur këtë ngjarje, ose është një person me fuqi të madhe e të padiskutueshme, ose është një organizatë shumë e rëndësishme, që me vendimin për të hequr qafe Nanon, synon të jap një mesazh edhe më të madh se vetë individi në fjalë. E mesazhi është i qartë, pasi Gledis Nano është drejtori i policisë së Shtetit që ka pasur mbështetjen më të madhe të amerikanëve. Madje ai u hoq nga detyra e tij, pikërisht për kontakte të dretëpërdrejta dhe të paautorizuara nga ish ministri i Brendshëm Çuçi dhe kryeministri Edi Rama.
Pikërisht për këtë Rama i kërkoi ministrit të Brendshëm Blendi Çuçi që t’i kërkonte dorëheqjen e menjëhershme Drejtorit të Policisë së Shtetit. E pas refuzimit për të dhënë dorëheqjen ai u shkarkua në mënyrë të menjëhershme, duke e lënë edhe sot e kësaj dite pa asnjë rol të rëndësishëm në strukturat e forcave të rendit. Përveç atë të pedagogut.
Dalja më e fundit e Nanos në publik ka qenë një intervistë e dhënë gjatë panairit të librit, ku ai kishte shkuar si të gjithë qytetarët e tjerë. Gjithsesi, ajo intervistë nuk se ishte kaq e rastësishme, pasi u mor si një sinjal i Nanos, për të qenë aktiv në jetën publike.
Sipas të gjitha gjasave, në rolin e tij të lartë, ai ka pasur dhe ka informacion për shumë të fshehta mbi lidhjet e strukturave të larta të shtetit me krimin.
E në këtë aspekt, më shumë gjasa ka, të kemi një përpjekje për të ndaluar publikimin e një sekreti të rrezikshëm që nuk bën fjalë për efektivë, apo zyrtarë të nivelit të mesëm. Por për njerëz me peshë dhe pozitë të lartë. Të cilët rrezikohen shumë, po shumë fare nga një ridalje publike të drejtorit të preferuar nga amerikanët. Për të cilin ambasadorja e kohës e SHBA, Yuri Kim, deklaroi qartësisht se nuk e pritën mirë largimin e tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



