E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Njihuni me faturën e re për taksën e ndërtesës
Flash

Njihuni me faturën e re për taksën e ndërtesës

Kadastra Fiskale, gati sistemi i ri i taksës së ndërtesës: Bashkitë integrohen brenda 2026, fatura me detaje të plota

Brenda vitit 2026, të gjitha bashkitë në vend pritet të jenë të integruara në sistemin e ri informatik të Kadastrës Fiskale, i cili do të llogarisë automatikisht detyrimin për taksën mbi ndërtesën, si për individët ashtu edhe për bizneset.

Sistemi i ri do të përdoret nga bashkitë për gjenerimin elektronik të faturave të taksës, duke përfshirë të dhëna të detajuara mbi sipërfaqen e pronës, vlerën bazë të taksueshme dhe çmimin referues për metër katror, sipas zonës kadastrale ku ndodhet pasuria.

Faturë e re, më transparente

Në manualin e përdorimit të sistemit të Kadastrës Fiskale, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, është publikuar edhe modeli i ri i faturës për taksën mbi ndërtesën.

Ndryshe nga fatura aktuale, dokumenti i ri do të përmbajë:

  • numrin e njësisë së ndërtesës,
  • numrin e pasurisë të regjistruar në Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK),
  • çmimin referues sipas zonës kadastrale,
  • sipërfaqen e apartamentit,
  • vlerën e taksueshme të pronës,
  • detyrimin përfundimtar për taksën e ndërtesës.

Fatura do të përmbajë gjithashtu logon e bashkisë, të dhënat e taksapaguesit, numrin e faturës, kodet përkatëse të pagesës dhe afatet e shlyerjes, pa përfshirë gjoba apo kamatëvonesa.

Shembull konkret: sa paguhet në 2026

Sipas modelit ilustrues të publikuar në manual, për një apartament në zonën e Shëngjergjit në Tiranë, me:

  • sipërfaqe: 76 m²,
  • çmim referues: 23,000 lekë/m²,
  • shkallë takse: 0.05%,

detyrimi për taksën mbi ndërtesën llogaritet 874 lekë në vit për vitin 2026.

Si funksionon sistemi

Të dhënat për pasuritë e paluajtshme do të hidhen nga bashkitë në sistem dhe do të përpunohen automatikisht. Sistemi lejon renditjen dhe filtrimin e të dhënave sipas:

  • numrit të njësisë së ndërtesës,
  • numrit të pasurisë në ASHK,
  • sipërfaqes, përdorimit dhe kategorisë së vlerës,
  • bashkisë, njësisë administrative, rrugës, zonës kadastrale, katit dhe statusit aktiv.

Gjithashtu, sistemi mundëson regjistrimin e taksapaguesve për pasuri që nuk kanë të dhëna ekzistuese, përmes:

  • numrit personal për individët,
  • numrit të biznesit për subjektet tregtare,
  • si dhe regjistrimin e taksapaguesve të huaj.

Metodologjia e llogaritjes së taksës

Vlera e pronës llogaritet mbi bazën e:

  • sipërfaqes,
  • çmimit mesatar referues,
  • koeficientit të kategorisë së vlerës,
  • koeficientit të privatizimit për banesat.

Në rast mungese të të dhënave për sipërfaqen, përdoret sipërfaqja e prezumuar. Vlera përfundimtare e pronës përcaktohet si më e larta ndër disa referenca, përfshirë vlerën e regjistruar në ASHK, çmimin e shitjes, vlerën e vetëdeklaruar apo çmimin e ndërtimit për objektet e papërfunduara.

Shkallët e taksës janë:

  • 0.05% për banim,
  • 0.2% për veprimtari ekonomike,
  • 30% e shkallës përkatëse për sipërfaqet e papërfunduara me leje ndërtimi.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të aplikojnë nënndarje zonale, duke rregulluar shkallën e taksës brenda kufijve ±30%.

Afatet e pagesës dhe administrimi

Aktualisht, për individët, taksa mbi ndërtesën shfaqet në faturën e ujit të pijshëm dhe paguhet çdo muaj, ndërsa për bizneset pagesa kryhet me dy këste:

  • kësti i parë deri më 30 Qershor,
  • kësti i dytë deri më 31 Tetor.

Monitorimi dhe popullimi i të dhënave në sistem do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, me synim një administrim të unifikuar dhe të qëndrueshëm të taksës.

Taksa e re e pronës shtyhet për në 2028

Ndërkohë, zbatimi i taksës së re mbi pasuritë e paluajtshme, e cila ishte planifikuar të hynte në fuqi në vitin 2026, është shtyrë me dy vite dhe pritet të nisë në vitin 2028.

Nga Ministria e Financave bëhet e ditur se po përgatitet një projektligj i ri, i cili do të miratohet në vitin 2026 dhe do të zbatohet paralelisht me Kadastrën Fiskale nga viti 2028. Sistemi i ri i taksimit do të bazohet në vlerën reale të tregut të pasurive të paluajtshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.