Pablo Esbobar u vra para 25 vitesh por fama e tij vijon edhe pse rezidenca e tij “Monaco” do shembet
Me 2 dhjetor 1993 u ekzekutua nga policia e Medelin, Pablo Escobar, mirëpo edhe sot pas 25 vitesh nga vrasja e tij, trashëgimia e lordit të drogës nuk ka “vdekur” në qytetin ku ai ndërroi jetë.
Edhe pse zyrtarët aktualë të qytetit po përgatiten të rrënojnë rezidencën bunker, ku bosi i vrarë i drogës jetoi, në lagjen që mban emrin e tij, banorët që jetojnë pikërisht në shtëpitë e ndërtuara prej tij planifikuan “haraçet” e përzemërta përpara se të shënonin përvjetorin e vdekjes së tij, ditën e diel.

Escobar u vra mbi një çati shtëpie, pas shkëmbimit të zjarrit me policinë, vetëm një ditë pas 44-vjetorit të lindjes së tij, si dhe 5 muaj pasi u shfaq në listën e më të pasurve të botës, për të shtatin vit radhazi, të revistës “Forbes”, përcjell Tch. Rezidenca e tij 8-katëshe, e quajtur “Monaco”, një simbol i pasurisë dekadente të mafies kolumbiane në vitet ’80-’90, është përkeqësuar vit pas viti që prej vdekjes së tij.
Struktura e saj e dëmtuar, megjithatë, mban ende plagët e shpërthimeve të para të autobombave në Kolumbi, në vitin 1988, që ishte edhe fillimi i një lufte të përgjakshme mes karteleve rivale në vendin amerikano-latin.
Ndërtesa gjigante e bardhë pritet të shembet në shkurt, në një demontim të dhunshëm që do të kompletohet edhe me karrige për shikuesit e interesuar për ta parë nga afër.

Manuel Villa, Sekretari bashkiak i qytetit, tha:
Monaco u bë një antisimbol, në një vend ku disa persona janë ende mbrojtës të sinqertë të krimit dhe terrorizmit. Ne nuk duam më fëmijë që të thonë se duan të bëhen si Pablo Escobar kur të rriten.”
Godina, një nga atraksionet kryesore për turistët në lagjen luksoze “El Poblado” të Medellinit, do të zëvendësohet nga një park publik i dedikuar për mijëra njerëzit e vrarë në Kolumbi nga “narkoterrorizmi”, duke iu referuar kështu periudhës së luftës mes karteleve por edhe me shtetin, në vitet ’80-’90.

Parku publik pritet të kushtojë rreth 2.5 milionë dollarë. Rinovimi dhe përforcimi i ndërtesës së rrënuar, ndërkohë, do të kishte kushtuar plot 11 milionë dollarë, sipas zyrtarëve të qytetit.
Villa thotë:
Do të jetë e dhimbshme ta shembim, por është e vetmja mënyrë sesi mund të shërojmë disi plagët tona.”
Shoqëria kolumbiane mbetet gjithsesi e përçarë thellësisht mbi trashëgiminë e Escobarit dhe baronëve të tjerë të drogës. Disa prej tyre duan të “shuhet” narkokultura që rëndon mbi vendin. Sipas zyrtarëve të Medelinit, dhuna e shkaktuar prej pazareve të drogës në Kolumbi vrau 46.612 njerëz të pafajshëm mes vitit 1983 dhe 1994.

Në krahun tjetër, Luz Maria Escobar ka ndryshuar gurin e varrit të vëllait të saj, pikërisht përpara përvjetorit të vdekjes së tij, mes syve kuriozë të turistëve.
E mes lotëve në sy, ajo lexon mbishkrimin e ri:
Përtej legjendës që ti simbolizon sot, pak e dinë thelbin e vërtetë të jetës tënde.”
Luz Maria e pranon se vëllai i saj bëri gabime, por kundërshton planet e Bashkisë së qytetit për të zhdukur edhe shtëpinë e tij.
Duke e shembur Monacon, nuk kanë për ta fshirë historinë e Pablos.”

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



