E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Padi në Itali ndaj ish-kreut të SPAK-ut, Altin Dumani
Lajme

Padi në Itali ndaj ish-kreut të SPAK-ut, Altin Dumani

gjyqtari rrëzon kërkesën për mbylljen e çështjes dhe urdhëron hetime të tjera

Ish-kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, është paditur në Itali nga kompania “Meral shpk”, në pronësi të familjes Cela, e cila e akuzon për shpifje dhe kallëzim të rremë. Çështja lidhet me një operacion të zhvilluar në korrik të vitit 2025, kur autoritetet italiane, mbi bazën e informacionit të përcjellë nga SPAK, sekuestruan pasuri me vlerë rreth 4 milionë euro në Verona, nën dyshimin se ishin krijuar nga të ardhura të trafikut të kokainës.

Sipas medias italiane, vetëm një muaj pas sekuestrimit, gjykata italiane vendosi heqjen e masës së sekuestros dhe kthimin e pasurive te pronarët. Në vendim thuhej se dokumentacioni i paraqitur nga kompania provonte origjinën e ligjshme të investimeve, ndërsa anëtarët e familjes Cela rezultonin pa precedentë penalë.

Pas këtij zhvillimi, kompania “Meral shpk” depozitoi padi ndaj Altin Dumanit, duke pretenduar se informacioni i dërguar nga SPAK u ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare dhe cenim të reputacionit.

Prokuroria e Veronës kërkoi pushimin e çështjes, por gjyqtari Enrico Zuccon e rrëzoi këtë kërkesë. Ai urdhëroi zhvillimin e hetimeve shtesë për të verifikuar dokumentacionin e dërguar nga autoritetet shqiptare, si dhe për të sqaruar nëse SPAK kishte informuar autoritetet italiane për vendime të mëparshme që mund të binin në kundërshtim me akuzat e paraqitura.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Altin Dumanit kërkoi gjithashtu pushimin e procedimit, duke argumentuar se padia synon të pengojë hetimet që ai ka zhvilluar ndaj grupeve të krimit të organizuar.

Në përfundim, gjykata italiane nuk pranoi as kërkesën e Prokurorisë së Veronës dhe as atë të mbrojtjes së Altin Dumanit. Me vendimin e gjyqtarit Enrico Zuccon, Prokurorisë i janë lënë edhe dy muaj kohë për të kryer verifikime shtesë mbi dokumentacionin e ardhur nga autoritetet shqiptare. Pas përfundimit të këtyre hetimeve, do të vendoset nëse procedimi penal ndaj ish-kreut të SPAK-ut do të vijojë apo do të pushohet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.