E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pas vendimit të Kushtetueses hapet rruga për arrestime VIP
Uncategorized

Pas vendimit të Kushtetueses hapet rruga për arrestime VIP

Zhbllokohet KLGJ, KLP e SPAK, ja si SHBA do pastrojë politikën e drejtësinë nga të korruptuarit

Gjyqtarët, prokurorët, deputetët, anëtarët apo ish-anëtarët e qeverisë do të duhet të shqetësohen, pasi tani nuk ka asnjë kthim mbrapsht për reformën në drejtësi. Ditën e djeshme është hedhur hapi vendimtar për zbatimin e saj dhe kushdo që ka abuzuar me detyrën apo ka vjedhur nga xhepat e qytetarëve do të duhet të përballet me drejtësinë. Dje ndodhën dy ngjarje të rëndësishme, së pari u inaugurua godina e vetingut dhe së dyti Gjykata Kushtetuese vendosi të mos rrëzonte ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Normalisht lind pyetja se çfarë do të ndodhë tani?

Hapi i parë që do të ndërmerret është mbyllja e rekrutimit të stafit nga Komisioni i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit. Në datën 27 tetor Komisioni i Kualifikimit mbylli aplikimet për këshilltarë dhe pjesëtarë të tjerë dhe brenda kësaj jave pritet që të bëhen përzgjedhjet e emrave që do të jenë pjesë e grupit të vetingut.

Më pas, në javën e parë të nëntorit mbyllet ky proces dhe nga Kolegji i Apelimit. Pas kësaj nis zyrtarisht puna e komisionit. Dosjet e para që do të shqyrtohen janë për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke filluar me kryetarin.

Momentalisht janë përzgjedhur nga 5 çështjet që ata kanë shqyrtuar që do të verifikohen, ndërsa shumë shpejt ILDKP dhe DSIK do të dorëzojnë raportet e pasurisë dhe të shkuarës së tyre. Pasi të merren këto të dhëna, komisioni dhe ndërkombëtarët do nisin procesin e verifikimit duke shqyrtuar çdo detaj dhe duke kërkuar informacion në të gjitha institucionet shtetërore. Madje dhe jashtë vendit. Më pas do vijohet me Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe me kandidatët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe ata të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në fund do ketë një raport për secilin emër nëse e kalon apo jo vetingun.

Lufta ndaj korrupsionit

Por dje, përveç se u hap rruga e vetingut, njëkohësisht u zhbllokua dhe lufta ndaj korrupsionit. Deri më tani ka qenë e bllokuar ngritja e institucioneve të reja si KLGJ, KLP apo SPAK. Por me të hyrë vetingu në hulli, është zhbllokuar dhe ky proces. Sapo të mbyllet procesi i verifikimit për kandidatët e prokurorisë dhe gjykatave në KLGJ e KLP, fillon menjëherë ngritja e këtyre dy organeve, që do të jenë qeveria e drejtësisë shqiptare. KLGJ e KLP do të kenë në dorë emërimet, transferimet dhe shkarkimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por përmes tyre zhbllokohet dhe ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Anëtarët e saj përzgjidhen pikërisht nga KLGJ e KLP dhe me ngritjen e tyre, nis menjëherë lufta ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet. Vetingu ishte ai që bllokonte gjithë punën dhe me zhbllokimin e tij, tani të gjitha institucionet do ngrihen njëra pas tjetrës dhe të gjithë të korruptuarit do të duhet që të mbajnë përgjegjësi.

Ngritja e SPAK dhe BKH

Dy institucionet më të rëndësishme në luftën ndaj korrupsionit janë SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Çdo person që do kandidojë për në SPAK, do i nënshtrohet kontrollit të figurës, pasurisë dhe karrierës. Më pas ai duhet që të japë pëlqim përmes një formulari për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake. Të njëjtën gjë bëjnë dhe anëtarët e afërt të familjes, duke hequr të drejtën nga privatësia. “Kandidati dhe anëtarët e afërt të familjes plotësojnë dhe nënshkruajnë vetëdeklarimin, sipas së cilës, nëse caktohet në detyrë apo punësohet, telekomunikimet e tyre, si dhe llogaritë bankare do të jenë objekt vëzhgimi, si dhe heqin dorë nga e drejta e jetës private lidhur me këto komunikime, si dhe i dorëzojnë ato tek institucionet e emërtesës”, thuhet në ligj. Fillimisht, SPAK pritet të punojë me rreth 10 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa më pas stafi do të shtohet. Ndërkohë Byroja e Hetimit do jetë një tjetër organ, i cili do hetojë vetëm zyrtarët e lartë, pasi SPAK do ketë në vëmendje dhe krimin e organizuar.

Në Tiranë kanë mbërritur disa agjentë të FBI dhe ata janë duke trajnuar disa të rinj për t’i bërë anëtarë të Byrosë së Hetimit. Sipas përcaktimeve në ligj, çdo person që ka kaluar testet dhe kushtet për të qenë anëtar i Byrosë, i nënshtrohet një regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të certifikohet. Pasi është certifikuar si i trajnuar dhe i aftë, kandidati konsiderohet hetues.

Po ashtu, çdo dy vjet, hetuesit do kalojnë në testim dhe kush ngel, largohet nga detyra. Pra, kjo do të thotë se Byroja e Hetimit do jetë mjaft e përgatitur dhe rol shumë të madh do kenë të huajt. Brenda javës pritet që vetingu të hapë dosjet e para dhe më pas, të gjitha institucionet e reja nisin punë për të qenë funksionale dhe kjo do të thotë se shumë shpejt do të kemi tërmet në drejtësi e politikë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.