E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
PD në errësirë totale, PS i bën ‘puçin’ për ‘Territorialen’ dhe ‘Zgjedhoren’
Lajme

PD në errësirë totale, PS i bën ‘puçin’ për ‘Territorialen’ dhe ‘Zgjedhoren’

Ashtu siç ishte paralajmëruar prej ditësh, Partia Socialiste ka depozituar zyrtarisht kërkesën për të marrë drejtimin e plotë të dy komisioneve të posaçme parlamentare: atij për Reformën Territoriale dhe Komisionit për Reformën Zgjedhore.

Deri më tani, të dy këto komisione janë drejtuar mbi bazën e bashkëkryesimit, me përfaqësues nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Megjithatë, mazhoranca ka propozuar ndryshimin e kësaj formule, duke kërkuar shumicën e anëtarëve dhe drejtimin e punës në Komisionin e Reformës Territoriale.

Sipas propozimit të PS-së, komisioni do të përbëhet nga 17 anëtarë: 9 përfaqësues të Partisë Socialiste, 6 nga Partia Demokratike dhe 2 anëtarë nga forcat e tjera opozitare. Në këtë skemë të re, bashkëkryetari aktual i PD-së, Luçiano Boçi, do të largohet nga drejtimi i komisionit dhe do të mbajë postin e nënkryetarit, ndërsa drejtimi do t’i kalojë deputetit socialist Arbjan Mazniku.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka paralajmëruar se po shqyrton mundësinë e krijimit të komisioneve paralele, ku do të hartojë dhe diskutojë propozimet e saj për reformat territoriale dhe zgjedhore, jashtë strukturave aktuale parlamentare.

Çështja pritet të diskutohet në mbledhjen e kësaj të enjteje, më 29 janar, të Konferencës së Kryetarëve, ku do të vendoset për fatin e propozimit të mazhorancës.

Mazhoranca e justifikon këtë lëvizje me bojkotin e vazhdueshëm të opozitës dhe mungesën e progresit në punën e komisioneve. Në këtë linjë, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka paralajmëruar publikisht opozitën se proceset nuk do të bllokohen.

“Kohë për të humbur me ju kemi zero. Nëse nuk paraqiteni në komision, ta dini mirë se reformën administrativo-territoriale në 2014 dhe reformën zgjedhore në 2020 i kemi bërë edhe pa ju”, deklaroi Balla në seancën e fundit plenare.

Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, Partia Socialiste zotëron shumicën e nevojshme parlamentare për të miratuar ndryshimet dhe për të marrë vetë drejtimin e këtyre komisioneve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.