Përleshja mes adoleshentëve kthehet në tragjedi, vdes 15-vjeçari
Ka ndërruar jetë në spital 15-vjeçari nga Durrësi, Erion Boba, i cili u plagos rëndë me thikë nga një bashkëmoshatar pak ditë më parë. Pavarësisht përpjekjeve mjekësore dhe thirrjeve të familjes për ndihmë, i mituri nuk arriti të mbijetojë.
Vetëm disa orë më parë, familjarët bënë apel publik për mbledhjen e fondeve, pasi gjendja e tij ishte tejet kritike dhe kërkohej dërgimi jashtë vendit për trajtim të specializuar. Por plagët rezultuan fatale.
Ngjarja e rëndë kishte nisur pas një konflikti që shpërtheu në rrjetet sociale dhe degjeneroi në dhunë fizike. Gjatë përplasjes, i mituri u godit disa herë me thikë, ndërsa një prej plagëve i preku zemrën. Për rreth 10 ditë, Erioni u mbajt në reanimacionin scentral të QSUT në gjendje kritike për jetën.
Familja, e dërrmuar emocionalisht, kërkoi ndihmë nga qytetarët për të mundësuar transportin jashtë vendit, ndërsa të afërmit tregonin dramën që po përjetonin prindërit e djalit të mitur.
Fatkeqësisht, ditën e sotme, zemra e Erion Bobës pushoi së rrahuri, duke lënë pas një dhimbje të thellë për familjen, të afërmit dhe komunitetin që u prek nga rasti tragjik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



