Plagosja e dyfishtë në Durrës, ky është babai që qëlloi vajzën me thikë
Ky është Mikel Ndoj, 56 vjeç, autori i plagosjes së dyfishtë të ndodhur sot në qytetin e Durrësit, ku mbetën të lënduar vajza e tij dhe një koleg i saj. Pas disa orësh kërkimi, ai u lokalizua dhe u vu në pranga nga Policia e Durrësit.
Sipas të dhënave paraprake, Ndoji kishte rreth gjashtë vite i ndarë nga familja. Ndarja kishte ardhur pas episodeve të dhunës në familje, ndërsa më pas 56-vjeçari ishte larguar drejt Italisë, ku kishte përfunduar edhe në burg.
Dy personat e plagosur u transportuan me urgjencë në spitalin rajonal të Durrësit. Burime spitalore bëjnë me dije se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes, në asfalt, janë konstatuar edhe njolla gjaku, dëshmi e dhunës së ushtruar.
Si ndodhi ngjarja
Ngjarja e rëndë u regjistrua në rrugë, pranë agjencisë imobiliare ku punonte 24-vjeçarja. Autori është paraqitur në vendin e punës së vajzës së tij, duke mbajtur një thikë me vete. Pas një debati mes tyre, ai e ka goditur në ambientet e jashtme të agjencisë.
Në ato momente, një qytetar me emrin Memlika, i cili po kalonte rastësisht në zonë, ka tentuar të ndërhyjë për ta ndaluar autorin, por ka mbetur edhe vetë i plagosur.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa 56-vjeçari pritet të përballet me akuzat për plagosje të rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



