E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Po rrisim vrasës dhe jo rini! Marvi dhe Stiven, edhe sa si ju duhet të vajtojmë?
Sot

Po rrisim vrasës dhe jo rini! Marvi dhe Stiven, edhe sa si ju duhet të vajtojmë?

Igli Çelmeta

E tmerrshme dhe e frikshme çfarë po ndodh me të rinjtë në vendin tonë, alarmante se çfarë gjeneratash po rriten. Një 20-vjeçar u vra në mënyrë makabre nga dy 18-vjeçarë në mes të kryeqytetit, në afërsi të banesës së tij. Stivenit iu mor jeta padrejtësisht, teksa kthehej nga puna. Ai punonte dhe ndihmonte familjen e tij, ishte një djalë i urtë dhe nuk konfliktohej me njeri, i dashur me të gjithë, por dy bashkëmoshatarë e vranë në mënyre tinëzare për motive të dobëta, në mënyrë frikshme e goditën me hanxhar. Tmerri i kalon kufijtë e realitetit, shkon përtej të konceptueshmes, përtej njerëzores.

Menjëherë m’u kujtua Marvi Mihali, i cili u vra për karikuesin e telefonit. Marvi dhe Stiven sot nuk jetojnë më, ata janë viktima të një shoqërie që po rrit një rini të përçudnuar, një rini agresive, një rini të droguar. Por, çfarë po bën shoqëria jonë për të edukuar rininë, për ta orientuar atë drejt rrugës së duhur, në rrugën e së mirës, për ta larguar nga krimi dhe droga? Asgjë!

Edhe sa si Marvi dhe Stiven do vriten padrejtësisht? Duke nisur nga mosha 14-vjeçare shumë të rinj nisin konsumimin e hashashit, pothuajse në çdo lagje shohim grupe te rinjsh që mblidhen dhe konsumojnë hashash nëpër cepa pallatesh, në tualete apo cepa shkollash. Të rinj që mënyrë edukimi kanë Tik- Tok-un. Prindërit, e gjithë shoqëria dhe sistemi që kemi krijuar janë fajtorë për gjithë këtë përçudni. Fëmija e merr edukatën dhe kulturën që në gjenezë në familje, më pas shkolla ka një ndikim shumë të rëndësishëm, po ashtu edhe shoqëria. Te ne në shumicën e rasteve nuk funksionon asnjëri prej këtyre institucioneve, as familja, as shkolla, as shoqëria.

Nuk mund të rritet një rini e shëndetëshme, kur vetë prindi rri më shumë në Tik-Tok se sa me fëmijën e tij, nuk i kushton vëmendje edukimit të fëmijës pasi mjafton që ka paguar shkollimin për të, madej afterschool-in kinse me përkushtim ekstra dhe mendon se e ka zgjidhur edukimin e fëmijës së tij. Nuk mund të rritet një rini e shëndetëshme kur shkolla është kthyer thjesht një ambient frekuentimi dhe jo mësimi për të rinjtë.

Nuk mund të rritet një rini e shëndetëshme, në një shoqëri që çmendet pas reality show si “Big Brother”, me heronj “gangsta” që parfumojnë aromë fodullëku. Kurrë nuk mund të rritet një rini e shëndetshme, nga një shoqëri që i rrit fëmijët me modelet e Clevios, Stresit, Noizy-it, Kozakut apo të tjerë. Nëse nuk reagojmë dhe reflektojmë si shoqëri, ngjarje si me Marvin dhe Stiven do përsëriten sërish.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.