Prokuroria arreston “trurin” e evazionit me fatura fiktive në Tiranë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka urdhëruar arrestimin e shtetasit me iniciale Gj.F., i dyshuar për përfshirje në një skemë të sofistikuar mashtrimi fiskal që dyshohet se i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare buxhetit të shtetit.
Sipas burimeve zyrtare, ndalimi i tij u krye me kërkesë të Prokurorisë, ndërsa mbi të rëndojnë akuzat për “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)” dhe “Fshehje e të ardhurave”, vepra penale të parashikuara nga nenet 144/a dhe 180 të Kodit Penal.
Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 5787 të vitit 2024, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Seksionin e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit. Nga verifikimet ka rezultuar se subjekti tregtar “Dorina Fela” dyshohet të ketë kryer shitje fiktive në vlerën totale prej 149,875,867 lekësh.
Si pasojë e kësaj veprimtarie të dyshuar, buxheti i shtetit mendohet të jetë dëmtuar në shumën 62,670,861 lekë. Sipas Prokurorisë, skema është realizuar përmes deklarimeve të rreme dhe përdorimit të faturave fiktive, me synim përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen artificiale të detyrimeve për Tatimin mbi Fitimin.
Autoritetet dyshojnë se Gj.F. ka pasur rol drejtues dhe organizues në këtë veprimtari, duke përdorur një subjekt tregtar të regjistruar në emër të bashkëshortes për të realizuar skemën mashtruese.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe për dokumentimin e plotë të skemës, si dhe të dëmit financiar të shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



