Publikohen pamjet e aksidentit tragjik në Manëz
Pamjet e aksidentit tragjik të regjistruar në orët e para të mëngjesit në Manëz të Durrësit kanë dalë në dritë, ndërsa ekspertiza ka hedhur më shumë dritë mbi dinamikën e përplasjes, ku humbën jetën tre persona dhe dy të tjerë u plagosën.
Viktimat e aksidentit janë identifikuar si Kleo Vrioni, bashkëshortja e tij Sara Brugentelli dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri.
Sipas të dhënave të ekspertizës, automjeti po lëvizte me një shpejtësi prej rreth 114 kilometra në orë në sekondat para humbjes së kontrollit. Kjo shifër vjen pas rindërtimit të dinamikës së aksidentit dhe analizimit të gjurmëve të lëna në vendngjarje.
Nga verifikimet rezulton se, gjatë hyrjes në kthesë, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi mjetin. Në vijim, goma e përparme në anën e pasagjerit ka goditur bordurën, duke ndikuar në humbjen e mëtejshme të stabilitetit të automjetit.
Pas përplasjes me bordurën, makina është përmbysur dhe ka vijuar lëvizjen e pakontrolluar përgjatë rrugës. Sipas ekspertizës, automjeti është rrëshqitur dhe zvarritur për rreth 40 metra, përpara se të ndalonte.
Ekspertët po analizojnë pamjet dhe provat e administruara në vendngjarje për të përcaktuar me sa më shumë saktësi trajektoren e automjetit dhe lëvizjet e tij në momentet para dhe pas përplasjes.
Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit lidhet me gjendjen e drejtuesit të automjetit. Analizat toksikologjike kanë konfirmuar se Kleo Vrioni kishte konsumuar alkool përpara aksidentit.
Në fazat e para të hetimit ishte raportuar se automjeti dyshohej se po lëvizte me një shpejtësi që varionte nga 115 deri në 130 kilometra në orë. Megjithatë, pas përllogaritjeve të mëtejshme dhe rindërtimit të dinamikës së aksidentit, ekspertiza e ka përcaktuar shpejtësinë në rreth 114 kilometra në orë në momentet që i paraprinë humbjes së kontrollit.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjitha rrethanat e aksidentit tragjik dhe për të përcaktuar në mënyrë të plotë faktorët që çuan në përplasjen me pasojë tre viktima dhe dy persona të plagosur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



