Rama paralajmëron arrestime brenda PS: Nuk mbroj asnjë tradhëtar para SPAK!

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar arrestime të tjera nga rradhët e qeverisë teksa tha gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar dhe grupit parlamentar se nuk mbron askënd që është i përfshirë në korrupsion.

Duke ironizuar kritikët se nuk duhet t’i “lëshojë njerëzit e tij para drejtësisë”, Rama tha: “Unë nuk lëshoj vetëm djalin e vogël”.

Rama tha se kanë ardhur kohë të këqija për ata që ishin mësuar me drejtësinë të lidhur me politikën, teksa theksoi se PS nuk komenton çështjet që hap SPAK.

“Unë kam pasur detyrën të punojë në 10 vjet me 40 e ca ministra dhe të gjithë ata e kanë dëgjuar prej meje që prej ditës së parë se kush lufton për të mirën e përbashkët më ka në krah në çdo hap edhe kur sulmohet. Por kush gabon duke kujtuar se do bëjë një rrugë e dy punë, nga njëra anë duke luftuar me mua dhe PS për të mirën e përbashkët dhe nga ana tjetër duke punuar fshehurazi për xhepin, nuk do më ketë në krah as mua dhe as PS. Vetëm avokatin e vetë para drejtësisë.

Jo po PS duhet t’i mbajë njerëzit dhe ti nuk duhet t’i lëshosh njerëzit e tu. Unë nuk lëshoj vetëm djalin e vogël dhe ndonjë shkëmb në det ku do të hidhet. Por nuk mbaj asnjë burrë me para të vjedhura në karrige kur vjen ora të thirret. Jo po nuk kam bërë asgjë, më bien në qafë. Nëse nuk ke bërë gjë nuk të mbaj as unë as PS por e vërteta. Prandaj lufto për të vërtetën tënde sepse unë dhe PS nuk bëjmë asnjë koment për çështje që hap SPAK për deputet, kryebashkiak apo ministër”, u shpreh Rama.

Publikuar nga Publik Media