Raportimi i ekspertit amerikan: Në Shqipëri ka rënë pluralizmi politik
Profesori dhe eksperti amerikan, Edward Joseph, mori pjesë në diskutimet e Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së për çështjet e Ballkanit. Duke folur për Shqipërinë, Joseph theksoi rëndësinë e një gjyqësori të pavarur dhe ngriti shqetësime për pluralizmin politik në vend, të cilin e konsideron të rrënuar.
“Më në fund e shkëputur nga rruga e vështirë e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, Shqipëria po bën përparime mbresëlënëse drejt anëtarësimit. Megjithatë, sundimi i ligjit mbetet një kërkesë thelbësore. Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të BE-së prej kohësh mbështesin përpjekjet për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur, të besueshëm dhe efikas,” tha Joseph.
Ai shtoi se një stok i madh i çështjeve të pazgjidhura bën që qytetarët të presin me vite për vendime përfundimtare, duke minuar besimin publik dhe të drejtën për proces të rregullt ligjor. Joseph citoi gjithashtu raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e majit, i cili evidentoi ndërhyrje në procesin zgjedhor, frikësim, keqpërdorim të burimeve publike, presion ndaj punonjësve dhe probleme me sekretin e votës.
“Ndërsa SHBA vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Tiranën, një aleate besnike e NATO-s dhe partnere e SHBA-së, Uashingtoni duhet të ngrejë pyetje lidhur me sundimin e ligjit, integritetin dhe efikasitetin e gjyqësorit, arrestimet dhe ndjekjen penale të liderëve të opozitës, si dhe rënien e pluralizmit politik,” përfundoi Joseph.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



