Rikthehet bora, Korça zgjohet e veshur me mantelin e bardhë
Reshjet e para të dëborës kanë nisur që në orët e mëngjesit të kësaj të premteje në qarkun e Korçës, duke sjellë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet rrugore.
Në segmentin Boboshticë–Dardhë, mjetet borëpastruese janë angazhuar në pastrimin e rrugës, ndërsa është hedhur edhe kripë për të parandaluar ngricat dhe për të siguruar qarkullimin e mjeteve.
Sipas informacioneve zyrtare, deri më tani nuk ka akse të bllokuara apo probleme serioze në lëvizje. Prefektura e Korçës bën me dije se qarkullimi zhvillohet normalisht në të gjitha rrugët kryesore të qarkut.
Ndërkohë, ekipet e Drejtorisë Qendër-Lindje të Autoritetit Rrugor Shqiptar vijojnë monitorimin e situatës në terren, me qëllim garantimin e ndërhyrjeve të shpejta në rast se kushtet e motit përkeqësohen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



