E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rritet numri i studentëve të helmuar në Akademinë e Sigurisë
Sot

Rritet numri i studentëve të helmuar në Akademinë e Sigurisë

Nën hetim kompania “Sori-Al” dhe AKU-ja

TIRANË — Situata te Akademia e Sigurisë po rëndohet. Shkon në 64 numri i studentëve dhe kursantëve që dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në ambientet e akademisë, i cili sigurohej përmes shërbimit katering nga kompania “SORI-AL”. Pasi 60 kursantët e parë shfaqën shenjat e para, së fundmi edhe 4 të tjerë janë paraqitur me urgjencë në spital me të njëjtat simptoma.

Hetimet shtrihen mbi kompaninë dhe AKU-në

Policia dhe Prokuroria e Tiranës kanë nisur një hetim të gjerë për të zbardhur shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje të përsëritur. Sipas burimeve, dosja e këtij helmimi të ri pritet të bashkohet me atë të fillimit të muajit maj, kur u regjistrua rasti i parë i helmimit në të njëjtin institucion.

Hetimet tashmë kanë kaluar përtej kompanisë private. Në shënjestër të grupit hetimor ka përfunduar edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU).

Çfarë po hetohet: Prokuroria po verifikon nëse AKU ka kryer kontrollet e rregullta dhe të nevojshme në ambientet e kompanisë “SORI-AL” gjatë dy muajve të fundit, specifikisht pas vendimit për t’i rikthyer kësaj të fundit të drejtën e aktivitetit në Akademi pas incidentit të parë.

Merret në pyetje administratorja

Gjatë ditës së sotme pritet të merret në pyetje administratorja e kompanisë “SORI-AL”, Alma Tafani. Që nga helmimi i parë i studentëve në maj, Tafani është proceduar dhe po hetohet penalisht në gjendje të lirë.

Ndërkohë, grupi hetimor ka bërë të ditur se është në pritje të përgjigjeve të analizave të mostrave të ushqimit të marra nga AKU, të cilat do të përcaktojnë përfundimisht agjentin që shkaktoi helmimin masiv të 64 kursantëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.