E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rruga Qukës–Qafë Plloçë që ngeli 15 vjet  rrugëve  duke gllabëruar 400 MLN euro
Uncategorized

Rruga Qukës–Qafë Plloçë që ngeli 15 vjet rrugëve duke gllabëruar 400 MLN euro

 

Historia e rrugës Qukës–Qafë Plloçë është një model i keqmenaxhimit, korrupsionit dhe favorizimeve të hapura që kanë shoqëruar projektet publike në Shqipëri. Një rrugë prej vetëm 43 kilometrash, e planifikuar për të përmirësuar lidhjet mes Qukësit dhe Qafë Plloçës, është kthyer në një makth financiar dhe logjistik, duke kushtuar mbi 400 milionë euro deri më tani, trefishi i kostos fillestare. Megjithatë, ajo mbetet e papërfunduar dhe në mes të akuzave për abuzime të mëdha.

Në vitin 2014  një  fillim premtues, në 2025 një fund skandaloz

Në vitin 2014, u lidh kontrata për lotin 1 të kësaj rruge me konsorciumin “JV Sintram & Albavia,” me një kosto fillestare prej 38 milionë eurosh dhe një afat për përfundimin e punimeve në qershor 2018. Por, 6 vite e gjysmë pas këtij afati, segmenti ende nuk është përfunduar, ndërsa kostot janë rritur në mënyrë drastike.

Favorizimet ndaj Albavia

Firma “Albavia,” një emër i njohur në fushën e tenderave publikë, është padyshim protagonisti kryesor i këtij skandali. ARRSH ka shtuar vazhdimisht fondet dhe ka shtyrë afatet për këtë kompani, pavarësisht dështimeve të saj të dukshme. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), vetëm për lotin 1 të kësaj rruge janë realizuar dy shtesa kontrate dhe dy urdhra ndryshimi, duke rritur vlerën e punimeve me 59%, ose 22.6 milionë USD më shumë se projekti fillestar.

Në fund të vitit 2024, firma “Albavia” u shpall përsëri fituese e një tenderi për një segment të lidhur me këtë rrugë, pavarësisht se nuk kishte ofruar ofertën më të ulët. Konkretisht, diferenca mes ofertës së saj dhe ofertës më të ulët ishte 44 milionë lekë (rreth 450 mijë euro). Dy firmat e tjera u skualifikuan për arsye teknike, duke nxitur dyshime të forta për manipulim dhe paracaktim të fituesit.

Ndërhyrjet “nga lart” dhe heshtja institucionale

Burime brenda ARRSH-së sugjerojnë se favorizimet ndaj “Albavia” nuk janë të rastësishme. Përkundrazi, ato janë rezultat i ndërhyrjeve “nga lart,” me qëllim garantimin e përfitimeve për një kompani me lidhje të forta politike. Hasan Hafizi, pronari i kompanisë, është bashkëshorti i ish-deputetes socialiste Mimoza Hafizi, një detaj që shton hijet e dyshimit mbi transparencën e procedurave.

Gjatë mandatit të deputetes Hafizi, Hasan Hafizi hoqi dorë nga aksionet e kompanisë, duke i kaluar ato formalisht një të afërmi. Megjithatë, kjo lëvizje rezultoi të ishte thjesht një truk ligjor, pasi Hafizi u rikthye si pronar pas përfundimit të mandatit të saj.

ARRSH dhe Kostoja e Dështimeve

Një raport i ARRSH-së për lotin 0 të rrugës, ndërtimi i të cilit filloi në vitin 2009 dhe përfundoi pjesërisht në vitin 2014, flet për rrëshqitje masive të dheut, që çuan në rritje të kostos me 20% dhe shtyrje të afateve. As ky segment nuk është përfunduar plotësisht dhe nuk është vënë në shfrytëzim, duke dëshmuar dështimet e përsëritura të këtij projekti.

Kostoja e korrupsionit: 400 Milionë Euro për 43 Kilometra

Nëse fillimisht projekti parashikohej të kushtonte 150 milionë euro, sot kostoja ka kaluar shifrën e 400 milionë eurove. Kjo shumë për një rrugë prej 43 kilometrash është absurde dhe tregon se abuzimet, keqmenaxhimi dhe korrupsioni janë faktorët kryesorë që e kanë zvarritur këtë projekt.

Rasti i rrugës Qukës–Qafë Plloçë kërkon një hetim të thelluar nga SPAK dhe institucionet përkatëse. Pyetjet kryesore që duhet të marrin përgjigje janë:

1.Pse “Albavia” vijon të favorizohet nga ARRSH, pavarësisht dështimeve të saj të vazhdueshme?

2.Kush janë zyrtarët që kanë firmosur shtesat e fondeve dhe shtyrjet e afateve?

3.Pse nuk janë ndëshkuar përgjegjësit për tejkalimin e kostove dhe zvarritjen e projektit?

Rruga Qukës–Qafë Plloçë është kthyer në simbol të keqmenaxhimit dhe korrupsionit në projektet publike shqiptare. Ndërsa qytetarët presin prej vitesh përfundimin e saj, miliona euro vazhdojnë të derdhen në xhepat e kompanive të lidhura me pushtetin. Derisa institucionet të veprojnë dhe SPAK të hetojë këtë rast, rruga do të mbetet një kujtesë e dështimeve të shtetit shqiptar për të menaxhuar burimet publike me integritet dhe përgjegjësi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.