Samir Mane blen Tirana Business University

Grupi Balfin ka blerë dhe 30 për qind të aksioneve në Tirana Business University duke e çuar në 60 për qind totalin e kuotave që zotëron në këtë universitet. Balfin ka arritur të marrë paketën e maxhorancës në TBU përmes dy transaksioneve të njëpasnjëshme në Mars dhe Prill të këtij viti.

Më parë Tirana Business University zotërohej nga katër aksionerë. Artan Hoxha që kishte paketën kontrolluese me 53.12 për qind, Balfin që zotëronte 30 për qind dhe Genti Daci i bërë rishtazi ortak me 16.88 për qind, pasi pak ditë më parë kishte blerë kuotat e zotëruara nga Enea Janko dhe Gjergj Buxhuku.

Fillimisht Balfin ka blerë 16.88 për qind të aksioneve nga Genti Daci për një çmim total 250 mijë euro ose 14 mijë e 800 euro për aksion. Më pas ka blerë dhe 13.12 për qind të kuotave nga Artan Hoxha për çmimin 187.3 mijë lekë ose 14.2 mijë lekë për aksion. Por Artan Hoxha mbetet sërish administrator i kompanisë.

Biznes i vështirë

Në vitin akademik 2021-2022, Tirana Business University numëronte 390 studentë në total për të gjitha programet e saj, bachelor dhe master. Sipas raportit të drejtimit, gjatë kësaj periudhë u përball më rënien e regjistrimeve të reja në masën 30 për qind për shkak të pandemisë.  

Në aspektin financiar, bilanci i depozituar në qëndrën Kombëtare të Biznesit tregon se për vitin 2021 Tirana Business University regjistroi një nivel të ardhurash prej 59.5 milionë lekë ose rreth 560 mijë euro në total. Për të njëjtin vit rezultati financiar i kompanisë u mbyll me fitimin minimal prej 4540 eurosh.

Që nga themelimi i tij në vitin 2010, TBU nuk ka mundur të regjistrojë rezultate të shëndosha financiare. Sipas pasqyrave të pozicionit financiar në fund të vitit 2021, kompania kishte një total aktivesh prej 102 milionë lekësh, ndërkohë që detyrimet totale ishin 189.4 milionë lekë. Kapitali i kompanisë vijon të mbetet negativ në masën 87 milionë lekë ose rreth 820 mijë euro për shkak të humbjeve të mbartura nga vitet e shkuara.

Publikuar nga Publik Media