E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sekretari amerikan i Shtetit flet për ‘zhdukjen’ e Kim Jong Un
Publik News

Sekretari amerikan i Shtetit flet për ‘zhdukjen’ e Kim Jong Un

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara nuk kanë dijeni se ku ndodhet udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe se po i vëzhgojnë me kujdes raportet për shëndetin e tij.

2763E2B9-B652-4EA1-B807-7B924E87D40B_cx20_cy9_cw80_w1023_r1_s

Ai tha se në vend ekziston një rrezik i vërtetë i urisë, për shkak të krizës botërore të koronavirusit.

Mediat e Koresë së Veriut nuk kanë njoftuar mbi vendndodhjen e Kim Jong Un-it që nga data 11 prill, kur ai kryesoi një takim dhe kjo ka provokuar hamendje të shumta për shëndetin e tij si dhe shqetësime se paqëndrueshmëria në shtetin me armë bërthamore mund të prekë vendet e tjera të Azisë si dhe Shtetet e Bashkuara.

“Ne nuk e kemi parë. Nuk kemi asnjë informacion që mund të raportojmë sot. Po e ndjekim situatën nga afër,” tha zoti Pompeo për Fox News, i pyetur për njoftimet kontradiktore lidhur me shëndetin e udhëheqësit koreanoverior.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara po monitorojnë gjithashtu situatën më të gjerë në Korenë e Veriut, duke pasur parasysh rrezikun që paraqet koronavirusi.

“Ekziston një rrezik i vërtetë se në Korenë e Veriut do të ketë uri, mungesa ushqimore,” tha ai. Ne po i vëzhgojmë të gjitha këto nga afër, pasi ato kanë një ndikim real në misionin që i kemi vënë vetes, denuklearizimin e Koresë së Veriut.”

Presidenti Donald Trump u takua me Kim Jong Un-in tri herë në vitet 2018 dhe 2019, në përpjekje për ta bindur atë të hiqte dorë nga armët bërthamore, që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara. Ndërsa bisedimet kanë ngecur, Presidenti Trump ka vazhduar ta quajë Kim Jogn Un-in një mik.

Zoti Pompeo nuk dha hollësi mbi rrezikun e urisë në Korenë e Veriut, por një delegacion ekonomik i Phenianit ishte në Pekin këtë javë për të diskutuar mbi furnizimet ushqimore dhe çështjet e tregtisë, ndërkohë që shpërthimi i koronavirusit ka shkaktuar çrregullime serioze në gjendjen ushqimore të vendit, sipas personave me njohuri për këtë çështje.

Disa zyrtarët në Korenë e Jugut dhe në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Kim Jong Un mund të jetë duke qëndruar në një vendpushim bregdetar për të shmangur ekspozimin ndaj koronavirusit dhe kanë shprehur skepticizëm për raportet e medias se ai ka një sëmundje të rëndë.

Ata paralajmërojnë megjithatë se shëndeti dhe vendndodhja e Kim Jong Un-it janë sekrete që ruhen me kujdes nga regjimi dhe se në Korenë e Veriut është e vështirë të nxirren informacione të besueshme./VOA

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.