Shoferi ‘kamikaz’ në gjendje të dehur përplas makinën e policisë
Rezulton me nivel alkooli dyfish më të lartë se Nikoll Radaçi
Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Durrës, ku një drejtues mjeti ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve me manovra të rrezikshme në zonat e banuara.
Bëhet fjalë për 44-vjeçarin Rezart Abazaj, i cili pas verifikimit me alkooltest rezultoi me një nivel prej 1.4 mg/l alkool në frymëmarrje, një përqendrim tepër i lartë që rrit ndjeshëm rrezikun në drejtim.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.15, në zonën e njohur si ish-Këneta, ku patrulla e Policisë Rrugore konstatoi automjetin që lëvizte me shpejtësi dhe kryente manovra të rrezikshme në rrugicat e lagjes. Pas sinjalit për ndalim, drejtuesi i mjetit ka refuzuar të bindet dhe ka tentuar të largohet, duke detyruar policinë të nisë ndjekjen.
Gjatë përpjekjes për arratisje, ai ka kryer një manovër të rrezikshme në marsh mbrapa, duke përplasur mjetin e policisë dhe duke lënduar lehtë në kokë një efektiv. Sipas dëshmive nga vendngjarja, situata ka rrezikuar seriozisht edhe disa fëmijë që ndodheshin në afërsi, duke luajtur.
Rasti bëhet edhe më shqetësues për shkak të së kaluarës së drejtuesit, i cili rezulton i përfshirë më parë në incidente të ngjashme për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Vetëm pak muaj më parë, ai ishte ndaluar për një rast tjetër, por ishte lënë i lirë me masën “detyrim paraqitjeje”.
Ngjarja ka ndodhur shumë pranë zonës ku dy javë më parë një aksident tragjik i mori jetën dy fëmijëve, duke rikthyer në vëmendje rrezikun e drejtimit në gjendje të dehur dhe debatet mbi masat ligjore ndaj shkelësve të përsëritur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



