E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqiptarët  në shekuj dinë të jetojnë me minoritete, pa i diskriminuar dhe pa i përjashtuar
Sot

Shqiptarët në shekuj dinë të jetojnë me minoritete, pa i diskriminuar dhe pa i përjashtuar

Akademikë amerikanë si Charles A. Kupchan, që propozojnë “spastrim etnik paqësor” për zgjidhjen e problemit Kosovë – Serbi. Përmes kryegazetës liberale, të famshmes “New York Times”.

Të njëjtat teza u propozuan edhe nga studimi i financuar nga po aq të famshmet fondacione të shoqërisë së hapur në Beograd. “Shoqëria e Hapur” trampolina prej nga kanë nisur karrierën shumë prej liberalëve e thirdwayistëve të sotëm në Ballkan e Evropë.

Dikush mund të vrasë mendjen: si ka mundësi që liberalët, New York Timesi, think tanket, sorosianët e revolucioneve ngjyra-ngjyra, këta njerëz babaxhanë paqedashës, na qenkan duke mbështetur propozime me origjinë direkte hitleriane, siç është “spastrimi etnik paqësor”? Edhe zgjidhjen e problemit Kosovë – Serbi po e ëndërrojnë si “finale të madhe”, duke i bërë jehonë të famshmes “final solution” të xha Adolfit.

Dy, për mendimin tim janë premisat e përgjigjes. Fiksimi liberal me neutralitetin, dhe frika e tyre prej popujve. Këto i çojnë ata herët a vonë në apori apo në fashizëm.

Neutraliteti i tyre vjen nga trajtimi i secilës marrëdhënie njerëzore si marrëdhënie shkëmbimi, e ngjashme me tregun, në mos marrëdhënie tregtare, e shpjegueshme përmes rational choice apo rational expectations theory. Secili diçka jep për të marrë diçka, kështu, Kosovës iu dha liria e pavarësia, tash dhe Serbia duhet të marrë diçka.

Ky neutralitet i bën të mos shohin viktimë e agresor. Shqiptarët po ashtu, na thonë, paskan kryer krime lufte, ndaj njëjtë janë me serbët, veç në sasi ndryshojnë sepse serbët kishin takat më shumë.

Harrojnë se dhuna e shqiptarëve erdhi e u formua në kushtet e shtypjes, pushtimit dhe diskriminimit, kur u gjendën të padëshiruar në vendin e vet, dhe jo vetëm nga ana sasiore por edhe cilësisht ndryshon prej dhunës së organizuar prej një shteti, me institucionet, ushtrinë e policinë e vet.

Frika e liberalëve ndaj popujve i bën ata të mos e kuptojnë asnjë impuls dekolonizues. Për ta popujt janë turma, kufijtë të pakuptimtë, çlirimi eufemizëm, vetëvendosja populizëm. Ndaj ata gjithnjë janë apologjetë të secilës status-quoje, dhe kur i befason çekuilibrimi i status-quove, parapëlqejnë gjithnjë zgjidhjet nga lart.

Në emër të ruajtjes të së drejtave të një komuniteti, ata krijuan një apartheid të ri, me komunitete homogjene, me eksterritorialitet, me të drejta speciale e me veto. E tani duan ta përjetësojnë atë apartheid përmes “spastrimit etnik paqësor”.

Prandaj edhe i dashuri i liberalëve dhe i fashistëve, Vuçiqi, e quan Millosheviqin lider të madh, por të dështuar. Të madh, sepse e kuptoi me kohë nevojën për spastrim etnik si çdo fashist. Të dështuar, sepse nuk e bëri paqësor, siç duan liberalët.

—-

Të nderuar liberalë e fashistë që qeverisni botën dhe akademitë.

Ne ua kemi thënë se decentralizimi etnik do të çonte doemos në ndarje e në luftë, jo në integrim siç thoshit ju. Integrimi vjen kur punohet e jetohet bashkë, jo kur krijohen komuna homogjene e zajednica etnike. Integrimi vjen kur merret përsipër përgjegjësia për krimet e luftës nga agresori, e kur viktimës i lejohet vetëvendosja politike.

Shqiptarët nuk kanë asnjë problem historik apo aktual me minoritetet. Shqiptarët, me gjithë varfërinë e tyre materiale e intelektuale, dinë të jetojnë me minoritete, pa i diskriminuar dhe pa i përjashtuar, siç kanë bërë në shekuj. Pengesa të kësaj bashkëjetese bëhen vetëm ndërhyrjet nga jashtë për të krijuar “superminoritete” bllokuese e me të drejtë vetoje, si të bardhët në Rodezinë e dikurshme.

E në vendet ku shqiptarët janë minoritet, as mos t’u shkojë ndër mend të provoni çrrënjosjen e tyre. Do rezistojmë siç kemi ditur historikisht!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.