E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si bajgë e tharë që e ka marrë lumi i krimit dhe i marrëzisë politike!
Sot

Si bajgë e tharë që e ka marrë lumi i krimit dhe i marrëzisë politike!

Kim Mehmeti

Nëpër vendbanimet e ‘Shqipërive’ tona shumëçka mungon dhe nga dita në ditë rritet varfëria dhe pashpresa. Me çka zvogëlohet numri i të rinjve dhe shtohet numri i shtëpive të mbetura shkretë. Siç rritet edhe hapësira për qentë endacakë, të cilët aq shumë janë shumuar dhe egërsuar sa të duket se edhe ato i ka përfshirë epidemia e grindjeve ndërpartiake.

Dhe kështu, për shembull, në Shqipëri, nuk ka gjykata për ta ndaluar rrënimin e Teatrit Kombëtar, apo për t’i dënuar hajdutët e kriminelët me kollare të politikanit, por ka gjykatës që e dinë se kujt i takon partia dhe, që vulat e emblemën partiake, ua japin budallenjve që besojnë se ato janë si hekur i nxehtë, me të cilin mund t’i shënosh votuesit tu si bariu delet e veta.

Edhe Kosovën vazhdojnë ta braktisin të rinjtë, por asaj i mbeten besnik pushtetarët dhe opozitarët. Opozitarët që sillen thuajse bisedimet me Beogradin kanë filluar me ardhjen e VV në pushtet dhe se, marrëveshjen për ‘Asociacionin e Komunave Serbe’ e ka nënshkruar kryeministri i sotëm i vendit e jo ata të deridjeshmit që nuk ndërtonin Kosovë për banorët e saj, por vila e shtëpi luksoze për vetveten, ata që e gjetën se cili është emri i lirisë, por duke e harruar mbiemrin e saj – popullin!

Pra, Kosovës i pakësohet rinia, por i shtohen opozitarët që të lënë përshtypjen se më shumë e dëshirojnë dështimin e Kryeministrit të vendit të tyre se sa atë të Vuçiçit, që e ndjellin dështimin e liderit të VV-së, që jo se nuk bënë gabime, por të cilit i ka rënë në hise ta pastrojë plehun politik që kanë lënë pas vete drejtuesit e mëparshëm të shtetit, të cilët sot shtiren se nuk e dinë as çka ka ndodhur, e as çka do të ndodhë, por të cilët që tani e kanë të qartë se do u pëlqejë e kundrat e asaj që do nënshkruajë kundërshtari i tyre politik – kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.

Sa u përket shqiptarëve të Maqedonisë, për ata nuk ka çka të thuhet dhe është mëkat për çka do qoftë t’i akuzosh e fajësosh. Sepse, duke e pasur mëmëdhe Shqipërinë e atdhe Kosovën, ata thuajse nuk kanë si ta shmangin as rrugaçërinë politike, e as vasalitetit politik ndaj partive maqedonase. Dhe ata mund të veprojnë politikisht si të duan, e të mos e turpërojnë shqiptarinë aq sa deputet e Kuvendit të Shqipërisë.

Po pra, nga vendbanimet tona për çdo ditë nisen autobusët që e shpërndajnë rininë shqiptare nëpër metropolet e Perëndimit. Me çka ua rrisin numrin vendeve të Evropës dhe e pakësojnë numrin e shqiptarëve nëpër ‘Shqipëritë’ tona. Dhe ata nuk e braktisin vendlindjen pse i frikësohen skamjes, por pse nuk duan të ndjehen si bajgë e tharë, të cilën e ka marrë me vete lumi i krimit dhe i marrëzisë së këtushme politike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.