E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skandali i INCENERATORËVE, Mirel Mërtiri nuk kishte lekë për djegësat
Sot

Skandali i INCENERATORËVE, Mirel Mërtiri nuk kishte lekë për djegësat

Detaje të reja nga afera e madhe

Mirel Mërtiri nuk kishte para për kontratat e djegësave. Ky fakt është zbuluar gjate seancës për vettingun e prokurores Mariola Mërtiri, e cila është bashkëshortja e vëllait të Mirel Mërtirit, që është në kërkim për aferën e inceneratorëve. Prokurorja Mariola Mërtiri është shprehur se kishte marrë hua te vëllai i bashkëshortit për blerjen e një apartamenti, por nga analiza financiare e komisionit të vettingut ka rezultuar se Mirel Mërtiri nuk kishte para kursyera

Një seancë rutinore vettingu zbuloi se bosi në hije i inceneratorëve, Mirel Mërtiri, ka pasur financa minimale, pak para se të merrte përsipër kontrata koncesionare me vlerë dhjetëra milionë euro me qeverinë shqiptare.

Të hënën, para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u paraqit prokurorja e Tiranës, Mariola Mërtiri.

Prokurorja është bashkëshortja e vëllait të Mirel Mërtirit. Trupa e vettingut konstatoi pamundësi financiare të prokurores në blerjen e një apartamenti në vitin 2011.

Zonja Mërtiri kishte deklaruar se banesën në Fier e kishte blerë me kursimet e familjes së saj, si edhe me një hua nga vëllai i bashkëshortit, Mirel Mërtiri, në shumën 1 milionë lekë të reja.

Por, Komisioni i vetingut deklaroi se analiza financiare e kryer ndaj Mirel Mërtirit, kishte zbuluar se ai nuk kishte pasur mundësi financiare që të krijonte kursime.

Ky detaj financiar i përket një periudhe pak para se grupi Mirel Mërtiri -Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, të merrnin nga Qeveria Rama3 kontratat për ndërtimin e inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, me kosto koncesionare rreth 160 milionë euro dhe me fitim mbi 430 milionë euro.

Seanca e vetingut për prokuroren Mariola Mërtiri konfirmoi gjithashtu edhe një fakt që dihej publikisht, por që nuk ishte pranuar zyrtarisht. Pronarja e kompanisë koncesionare të inceneratorit të Elbasanit, Stela Gugallja, është bashkëjetuesja e Mirel Mërtirit.

Prokurorja prezantoi pak detaje mbi marrëdhëniet e tyre familjare dhe një udhëtim të përbashkët në Vjenë.

Dokumentet e depozituara në institucionet shqiptare nuk e përfshijnë formalisht Mirel Mërtirin në kompanitë e inceneratorëve.

Megjithatë, hetimet e SPAK-ut kanë zbuluar përfshirjen e tij të plotë dhe e kanë shpallur në kërkim, në kuadër të hetimeve për inceneratorët e Elbasanit dhe të Fierit.

Po ashtu, Mirel Mërtiri u shfaq edhe si pjesëmarrës në takimin për nënshkrimin e një kontrate 60 milionë euro ndërmjet kompanisë guackë të inceneratorit të Sharrës, “Integrated Energy BV”, me bashkinë e kryeqytetit të Zimbabves, Harare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.