SKANDALI / Si u fry me 1.5 milionë euro tenderi i DPSHTRR:

Ndërtimi i godinës luksoze kap shifrën rekord prej 1,450 € për metër katror
Në Shqipëri, paratë e buxhetit të shtetit duket se nuk mjaftojnë kurrë kur bëhet fjalë për investime publike. Skema është tashmë e mirënjohur: projektohet një godinë, ndërtohet me kosto të larta, mbikëqyret me fonde të tjera dhe në fund – kur vjen afati për t’u dorëzuar – kontrata “modifikohet” duke i shtuar miliona euro të tjera pa asnjë penalitet për vonesat.
Një investigim i dokumenteve zbulon se si Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka futur sërish duart në xhepat e qytetarëve për të shpërblyer një firmë private, duke e çuar koston e godinës së re në nivele absurde për tregun shqiptar.
Nga 7.8 në 9.3 milionë euro: Ndryshimi i kontratës në APP
Në vitin 2023, DPSHTRR shpalli fitues për ndërtimin e godinës së saj qendrore kompaninë OE “HASTOÇI” shpk (me NIPT J62028009B). Edhe pse në garë kishte oferta më të ulëta, tenderi u mbyll me vlerën fillestare prej 7.8 milionë eurosh.
Lidhet kontrata/ Godina e re e DPSHTRR do të kushtonte 6.8 mln euro
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor nënshkroi me kompaninë Hastoçi kontratën për ndërtimin e selisë së re. Sipas kontratës, ndërtimi i godinës qendrore të DPSHTRR do të kushtojë 737.5 milionë lekë ose 6.8 milionë euro.
Tenderi për godinën e re të DPSHTRR është zhvilluar dy herë. Herën e parë gara u hap në nëntor të vitit të kaluar. Në të u paraqitën 7 oferta ku më e ulëta ishte ajo e bashkimit të kompanive Curri dhe Agri Construction me 700 milionë lekë. Por DPSHTRR vendosi t’i skualifikojë të gjitha ofertat.
Çështja u ankimua në Komisionin e Prokurimit Publik. Ky i fundit pasd një zvarritje disa mujore në shqyrtimin e ceshtjes, i gjeti pjesërisht të drejta ankesat e kompanive me ofertën më të ulët për skualifikim të padrejtë, por përmes një vendimi të çuditshëm urdhëroi DPSHTRR që ta anullojë tenderin dhe ta hapë sërish garën.
Në tenderin e dytë DPSHTRR shpalli fituese kompaninë Hastoçi me ofertë 737.5 milionë lekë.
Boeri dhe Bejleri
Godina e re e DPSHTRR është projektuar nga arkitekti italian Boeri në bashkëpunim me studion shqiptare Son Group e Erind Bejlerit. Këto dy kompani u përzgjodhën nga DPSHTRR përmes një procedure të kufizuar.
Erind Bejleri është denoncuar disa herë në media si një mik i afërt me drejtues të Bashkisë së Tiranës, por edhe me Endri Fugën, drejtorin e komunikimit në kryeministri. Për projektimin e godinës së re të DPSHTRR, Boeri dhe Son Group u paguan 12.5 milionë lekë.
Sipas projektit, ndërtesa e re zhvillohet në një truall me sip. 1,850 m2. Ajo do të ketë 5 kate mbi tokë dhe 2 nën tokë, me 39 vendparkime në garazh. Godina ka një sipërfaqe totale ndërtimi prej 6,105 metra katrorë nga të cilat 3,995 m2 mbi tokë.
Objekti do të ketë një organizim me një atrium të gjelbëruar e sistem ajrimi klimatik, panele fotovoltaike në tarracë për maksimizim eficience energjetike dhe përbërje ekologjike.
Sot, kur administrata duhej të kishte hyrë në zyrat e reja, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka publikuar një procedurë të re me objekt: “Modifikim kontrate për objektin ‘Ndërtim i godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR)'”.
Përmes këtij manovrimi, shteti i ka shtuar kontratës ekzistuese edhe 142,338,642 lekë (afërsisht 1.5 milionë euro) të tjera. Me këtë shtesë, vlera totale e projektit shkon në plot 9.3 milionë euro.

Llogaritari i Çmendur: 1,450 euro për metër katror vetëm ndërtim
Sipas dokumenteve zyrtare të lejes së ndërtimit të miratuar nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), godina e re multifunksionale do të ketë:
Struktura: 5 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë.
Sipërfaqja totale e ndërtimit: 6,385 m².
Nëse bëjmë një pjesëtim të thjeshtë të vlerës totale prej 9.3 milionë eurosh me sipërfaqen që po ndërtohet, rezulton se kompania “Hastoçi” po paguhet me rreth 1,450 euro për çdo metër katror.
Kjo vlerë konsiderhet jashtëzakonisht e lartë për koston e pastër të ndërtimit të një godinë administrative (pa vlerën e trojeve të shtetit), duke kapërcyer edhe çmimet e tregut të lirë për rezidencat e banimit në zonat më të shtrenjta të Tiranës.
Pse nuk ka penalitete?
Në çdo vend normal, nëse një kompani dështon të dorëzojë veprën brenda afateve të kontratës fillestare, ndaj saj aplikon penalitete financiare të rrepta. Mirëpo në rastin e DPSHTRR-së, në vend të ndëshkimit, firma private është “shpërblyer” me një shtesë fondi prej 1.5 milionë eurosh.
Kjo praktikë ngre dyshime të forta për:
1. Mungesë transparence dhe parregullsi administrative në hartimin e projektit fillestar.
2. Lidhje klienteliste mes zyrtarëve publikë të institucionit dhe pronarëve të firmës private, një fenomen ky i denoncuar shpesh edhe në raportet ndërkombëtare për prokurimet me shumë zero në Shqipëri.
Ndërsa tenderat publikë modifikohen rrugës me lehtësi të plotë, barra e kostove të frymëzuara artificialisht bie sërish mbi taksapaguesit shqiptarë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



