SKANDALOZE! Shembet përsëri rruga në Arrat e Gurrës
Segmenti i bllokuar në zonën “Arrat e Gurrës”, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, ka pësuar një përkeqësim të ndjeshëm të situatës, vetëm pak orë para se të hapej për qarkullim provizor.
Aksi, i cili ishte planifikuar të vihej në funksion në mesditë përmes një by-pass-i dhe një rruge dytësore të hapur enkas për kalim të përkohshëm, ka pësuar një fundosje të re dhe rrëshqitje masive dheu. Sipas burimeve nga terreni, një sipërfaqe e konsiderueshme toke është shembur, duke dëmtuar rëndë ndërhyrjet e kryera ditët e fundit dhe duke e bërë segmentin të pakalueshëm për një periudhë të pacaktuar.
Për shkak të rrezikut të lartë, janë larguar edhe mjetet e firmës që po punonte në zonë, ndërsa është ndaluar plotësisht qarkullimi, përfshirë edhe ai i këmbësorëve. Frika për fundosje të mëtejshme ka detyruar autoritetet të marrin masa të menjëhershme sigurie.
Zhvillimet e orëve të fundit kanë alarmuar strukturat shtetërore, ndërsa pritet një rivlerësim urgjent i kushteve gjeologjike dhe i planit të ndërhyrjes. Specialistët theksojnë se terreni në këtë zonë mbetet tejet i paqëndrueshëm, duke e bërë çdo zgjidhje teknike komplekse dhe me rrezik të lartë.
Bllokimi i këtij segmenti strategjik vijon të shkaktojë probleme serioze në qarkullimin e mjeteve dhe në lidhjen mes zonave të rëndësishme, duke rritur presionin për një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme infrastrukturore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



