Sondazhet e opozitës për Tiranën: 67% e qytetarëve kundër Veliajt
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zbuloi këtë të Martë një sondazh të opozitës lidhur me Tiranën, në prag të lokaleve të 14 Majit.
“Kemi sondazhe të shkëlqyera, po them vetëm një: 67 përqind e qytetarëve të Tiranës, Veliajn e quajnë gënjeshtar, 65 përqind fals, 63 përqind të korruptuar. Ky është sondazhi”, u shpreh Berisha në një emision televiziv.
I pyetur sa në sa bashki mendon se kandidatët e koalicionit opozitar dalin fitues, Berisha tha: “E kam të vështirë të them për ndonjë që s’mund të marrim. Numra s’them kurrë. Në të gjitha baskitë që kam vizituar kam gjetur kandidatë të fitores, kështu ka qenë në 1992-in dhe tani”.
Kryedemokrati vlerësoi fushatën e kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës si dhe të kandidatëve për Elbasanin – Luçiano Boçi dhe Durrësit – Ilgi Cara.
Sipas kryetarit të PD-së Sali Berisha, kandidati i opozitës për Tiranës Belind Këlliçi “ja ka marrë fushatën” Erion Veliajt.
“Ia mori fushatën, fushata është e Belind Këlliçit. Arriti me premtimin për transportin falas, diskutimi, të futet në çdo vatër të Tiranës”, tha Berisha në një emision televiziv.
“E dyta fol për tunelin, për nënkalimin. Është një nga gjërat më të dobishme për qytetin. Tuneli horizontal çliron një pjesë të mirë (të trafikut). Këlliçi tregoi guxim. Atakoi pistat e biçikletave në rrugë të caktuara se përdoren më pak se 1 përqind”, shtoi ai.
“Ajo me gisht është luftë kundër korrupsionit, ai ka treguar luftën kundër korrupsionit”, tha Berisha lidhur me një poster fushatë të Belind Këlliçit, të kritikuar nga disa zëra.
Berisha u shpreh i bindur se opozita do të fitojë Durrësin dhe Shkodrën.
“Unë mendoj se fushata në dy qytetet ngjitur me Tiranën, Durrës dhe Elbasan, shënon suksese shumë të mëdha, jemi të sigurt në fitoren e tyre. Këtë po e ndjen dhe Edi Rama dhe është shumë i tronditur. Edhe unë i ndjek me një admirim daljet e tyre televizive dhe fushatën që bëjnë, kanë fituar zemrat e qytetarëve, janë kandidatët e tyre”, tha Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



