Sonte luhet ndeshja e “hallit”, Francë–Angli për vendin e tretë
Ata synonin finalen, por tani duhet të kënaqen me një ndeshje për vendin e tretë. Përballja mes Francës dhe Anglisë në Majemi pritet të zhvillohet në një atmosferë të ftohtë, ku motivimi nuk është në nivelin më të lartë.
Për francezët, kjo ndeshje shihet më shumë si një detyrim sesa një mundësi. Humbja ndaj Spanjës në gjysmëfinale ka lënë gjurmë të thella në skuadër, duke e bërë të vështirë rikthimin emocional për një tjetër sfidë. Sipas raportimeve të L’Equipe, brenda grupit mbizotëron ideja se kjo është një ndeshje që do të preferonin ta shmangnin.
E njëjta ndjesi nuk mungon as në kampin anglez. Pas disfatës ndaj Argjentinës, trajneri Thomas Tuchel pranoi se skuadra kishte synuar vetëm finalen dhe se zhgënjimi është i madh, megjithatë theksoi se profesionalizmi do t’i detyrojë të zbresin në fushë dhe të japin maksimumin.
Në anën tjetër, lojtarët francezë vijojnë të analizojnë humbjen ndaj Spanjës, duke kërkuar arsyet e rënies së papritur në performancë. Atmosfera në dhomat e zhveshjes mbetet e rënduar, edhe pse kalendari kërkon përqendrim për ndeshjen e fundit.
Për Didier Deschamps, kjo është më shumë se një ndeshje vendi të tretë. Trajneri synon ta mbyllë ciklin e tij 14-vjeçar me një rezultat pozitiv, përpara se t’i hapë rrugë një epoke të re që pritet të drejtohet nga Zinedine Zidane.
Në këtë sfidë pritet të ketë hapësira edhe për lojtarët që kanë pasur më pak minuta, si dhe për ata që kërkojnë të lënë gjurmë. Ndërkohë, Kylian Mbappé mbetet i motivuar individualisht, duke ndjekur objektiva personale dhe rivalitetin me Lionel Messi në statistikat historike të Kupës së Botës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



