E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK blen 4 mijë m² perde, qindra karrige dhe kolltuqe luksi
Lajme

SPAK blen 4 mijë m² perde, qindra karrige dhe kolltuqe luksi

793 mijë € për mobilimin e BKH-së

Nga redaksia Publik.al

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka hapur një tjetër tender me vlerë të lartë, këtë herë për mobilimin e godinës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Sipas dokumenteve zyrtare, fondi limit i procedurës është 793 mijë euro, ndërsa përfshin një listë të gjerë blerjesh: tavolina pune, kolltuqe, dollapë, rreth 3939 metra katror perde me mekanizëm, si dhe 242 karrige me rrota e 12 dollapë zhveshjeje.

Procedura e prokurimit është shpallur më 24 shtator 2025 dhe do të mbyllet më 24 tetor 2025. Përgjegjës për tenderin janë Lulzim Mata, ish-zyrtar i Autoritetit Rrugor të Shqipërisë, tashmë në strukturat e SPAK, dhe Laureta Binaj, kancelare e institucionit dhe bashkëshortja e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Binaj.

Një kompani e vetme për gjithë mobilimin

Ndryshe nga praktika standarde e ndarjes së tenderëve në lote, SPAK ka zgjedhur ta zhvillojë procedurën në një të vetme, duke i dhënë një kompanie të vetme ekskluzivitetin për mobilimin e gjithë objektit.

Në dokumentet e tenderit, kjo justifikohet me “nevojën për koherencë estetike dhe përgjegjësi të qartë teknike”, një argument që në praktikë redukton konkurrencën dhe ngre dyshime për favorizime të mundshme.

Historia e tenderëve të mëparshëm

Ky investim vjen pas një serie procedurash të dështuara për rikonstruksionin e brendshëm të godinës së BKH-së, që u anulua dy herë për mungesë ofertash. Në fund, në dhjetor 2024, kontrata u fitua nga një bashkim kompanish i kryesuar nga “2T”, me ofertë 3.71 milionë euro, duke lënë pas “ULZA sh.p.k.” të vëllezërve Shpani.

Godina që po kushton gjithnjë e më shumë

Objekti që sot përdoret nga BKH-ja u ndërtua me kosto fillestare mbi 4 milionë euro, në një pronë të dhënë nga Bashkia e Tiranës përmes një marrëveshjeje me Ministrinë e Drejtësisë. Pas kalimit në administrimin e SPAK-ut, qeveria ka miratuar disa buxhete shtesë për rikonstruksione, pajisje dhe siguri fizike, përfshirë ndërtimin e një tuneli mbi-tokësor që do të lidhë drejtpërdrejt zyrat e BKH-së me Prokurorinë e Posaçme.

Në total, vetëm gjatë dy viteve të fundit, shpenzimet për përshtatjen dhe mobilimin e godinës së BKH-së pritet të kapin rreth 9 milionë euro  një shumë që e kthen ndërtesën e hetuesisë elitare në një nga investimet më të kushtueshme publike për metër katror në administratën shqiptare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.