SPAK kontroll banesave të gazetarëve
Politika dhe oligarkët mbeten të paprekshëm
Në një kohë kur krimi i organizuar vazhdon të pastrojë para dhe të përplaset për territore, dhe 95% e klasës politike të korruptuar gëzon pasuritë publike të plaçkitura, SPAK, nën drejtimin e Altin Dumanit, duket se ka vendosur të drejtojë goditjet e tij ndaj mediave dhe gazetarëve të pavarur.
Mëngjesin e sotëm, skuadra të BKH-së, me urdhër të kreut të SPAK, Altin Dumanit, dhe prokurorit Vladimir Mara, kanë ushtruar kontrolle në banesat e disa gazetarëve në Tiranë. Aksioni zhvillohet në kuadër të një procedimi penal që ende mbetet misterioz, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi synimet dhe transparencën e këtij veprimi.
Në mesin e atyre që janë prekur nga kjo goditje është gazetari i njohur Elton Qyno, banesa e të cilit në Astir u kontrollua në prani të dy djemve të tij të mitur, duke shkaktuar tronditje në familje. Ky është sulmi i dytë ndaj gazetarit Qyno, një figurë e njohur për investigimet e tij ndaj krimit dhe korrupsionit, dhe i cili, si shumë kolegë të tij të ndershëm, jeton në kushte modeste.
Kjo fushatë ndaj gazetarëve vjen në një moment kur Shqipëria përballet me mungesë të veprimit ndaj oligarkëve dhe figurave kryesore të krimit të organizuar, duke bërë që shumë ta interpretojnë këtë si një përpjekje për të heshtur zërat kritikë. Në vend që të përqendrohet te ata që vërtet kanë dëmtuar vendin – politikanët e korruptuar dhe bosët e krimit – SPAK duket se po sulmon të vetmit që pasqyrojnë të vërtetën dhe mbajnë publikun të informuar.
“Në vend që të ndëshkojë ata që kanë vjedhur vendin, SPAK po ndëshkon ata që denoncojnë vjedhjen,” është një nga komentet e shumta që pasqyrojnë këtë situatë alarmante.
Pyetja mbetet: Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë goditje të paprecedentë ndaj mediave të pavarura? Dhe mbi të gjitha, kush do të ndëshkojë të paprekshmit e vërtetë?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


