Sulmi me 9 të vrarë në Serbi i planifikuar: Nxënësi 14-vjeçar kishte bërë listën e atyre që do vriste
Sulmi me 9 të vrarë në Serbi i planifikuar: Nxënësi 14-vjeçar kishte bërë listën e atyre që do vriste
Kështu ka njoftuar në një konferencë për mediat komandanti i departamentit të policisë së Beogradit , Veselin Miliq. Komandanti tha se në shtëpinë e autorit u gjet një listë me emrat e nxënësve që donte të vriste, si dhe mësuesit të historisë. U gjet edhe një plan i shkollës. Data e sotme është zgjedhur nga autori pasi sot klasa e tij në orën e dytë ka pasur mësimin e Historisë dhe salla ku zhvillohet mësimi është shumë pranë hyrjes.
Shefi i policisë tha se nxënësi përdori pistoletën e babait të tij dhe ndërroi tre karikatorë gjatë sulmit. Hetuesit thanë se nxënësi fillimisht qëlloi rojen në hyrje të shkollës, duke e plagosur për vdekje. Më pas ai qëlloi dhe vrau dy nxënëset që ishin në hollin e ndërtesës, ndërroi karikatorin dhe hyri në klasën e Historisë dhe pasi qëlloi mësuesin, hapi zjarr ndaj shokëve të klasës. Ai doli në oborrin e shkollës ku kishte nxënës të klasave të reja, ndërroi sërish karikatorin, por policia ndërhyri dhe e ndaloi.
Rikujtojmë se gjatë sulmit të armatosur në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd mëngjesin e sotëm janë vrarë tetë nxënës dhe roja i shkollës. Një mësues dhe katër nxënës të plagosur rëndë po trajtohen në një spital në kryeqytetin serb. Autori i sulmit është 14 vjeç dhe është në klasën e 7-të të kësaj shkolle. Babai i tij u arrestua dhe u mor në pyetje, ndërsa tha se armët i mbante në një kasafortë, e cila ishte i siguruar me bravë dhe një kod të veçantë.
Në Serbi është shpallur tri ditë zie, ndërsa sot janë mbyllur të gjitha shkollat në Beograd.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



