Të gjithë kundra për taksën/ Haradinaj mund të shkarkohet këtë javë
Qeveria e Ramush Haradinajt, mund ta ketë javën e fundit, nëse nuk pezullohet taksa e vendosur fundvitin e kaluar ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Burimet mediatike nga Kosova bëjnë të ditur se kryeministri ka afat deri këtë të mërkurë që të tërhiqet nga taksa, përndryshe presioni ndaj pushtetit në Kosovë, do të rritet edhe më tepër.
Nese Haradinaj vazhdon të rezistojë, ashtu si deri më tani, duke e kushtëzuar heqjen e taksës me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, atëherë kërkesa e ndërkombëtarëve do të drejtohet nga PDK-ja, partneri i koalicionit.
Në emër të bashkëpunimit me SHBA-në, Partia Demokratike e udhëhequr nga Kadri Veseli, por nën ndikimin e hapur të presidentit Hashim Thaçi, mund ta rrëzojë qeverinë Haradinaj, për t’i hapur rrugën një koalicioni të ri me subjekte të tjera parlamentare.
Kohëve të fundit janë shtuar polemikat mes presidentit dhe kryeministrit për qasjen në dialogun me Serbinë.
Thaçi hapur mbështet një marrëveshje për ndryshimin e kufijve të Kosovës, gjë që kundërshtohet ashpër nga Haradinaj, por edhe pjesa dërrmuese e opozitës kosovare.
Vendosja e taksës ka ndikuar negativisht në procesin e bisedimeve, ndërsa së fundmi pas presionit të BE-së, SHBA ka reaguar fuqishëm duke kërkuar pezullimin e taksës nga qeveria Haradinaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



