Të shtëna me armë gjatë një eventi në Zvicër
raportohet për disa viktima
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në orët e para të së dielës në pistën e garave me kuaj në Schachen të Aaraut, në Zvicër, ku po zhvillohej eventi “Aarau Rave”.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ndodhi pak pas orës 02:30, ndërsa në zonë u dërguan forca të shumta policie, ambulanca dhe zjarrfikës.
Policia Kantonale e Aargaut njoftoi në platformën X se incidenti ka shkaktuar “disa viktima”, pa saktësuar numrin dhe gjendjen e tyre. Media zvicerane “Blick” raporton paraprakisht se disa persona kanë mbetur të plagosur.
Autoritetet kanë rrethuar një perimetër të gjerë përreth vendit të ngjarjes dhe u kanë kërkuar qytetarëve të qëndrojnë larg zonës. Policia u ka bërë gjithashtu thirrje personave që disponojnë fotografi ose pamje filmike nga incidenti që t’ua dorëzojnë ato hetuesve.
Operacioni policor vijonte edhe rreth orës 07:00 të mëngjesit. Për shkak të ndërhyrjes, pishina publike e Aaraut është mbyllur deri në një njoftim të dytë.
Deri tani nuk ka të dhëna zyrtare për autorin ose autorët e dyshuar dhe motivin e të shtënave.
Autoritetet pritet të publikojnë informacione të tjera për rrethanat e ngjarjes, numrin e viktimave dhe gjendjen e personave të plagosur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



