Tensionet te Komisariati 3, arrestohet 33-vjeçari, 4 të tjerë në kërkim
Zbardhen zhvillime të reja nga incidenti i dhunshëm i ndodhur pak ditë më parë gjatë një proteste pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë, ku u dëmtua godina dhe u përfshinë disa persona në akte të dhunshme.
Policia ka vënë në pranga një 33-vjeçar, i identifikuar me inicialet E.H., i cili dyshohet se ka qenë një nga personat aktivë në sulmin ndaj institucionit. Sipas burimeve zyrtare, ai nuk rezulton me precedent penal dhe gjatë deklarimeve ka pohuar se reagoi nën ndikimin e situatës së krijuar nga turma, duke përdorur një shkop për të goditur xhamat e godinës.
Në vijim të hetimeve, autoritetet kanë proceduar në gjendje të lirë edhe shtatë persona të tjerë, ndërsa katër individë janë shpallur në kërkim. Identitetet e këtyre të fundit nuk janë bërë publike për shkak të vijimit të hetimeve.
Ngjarja lidhet me protestën e zhvilluar më 4 korrik 2026, gjatë së cilës u shënuan përplasje dhe dëmtime materiale në ambientet e komisariatit. Strukturat e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë identifikuar në total 12 persona të dyshuar si të përfshirë në aktet e dhunës.
Ndaj personave të përfshirë rëndojnë disa akuza, që variojnë nga shkatërrimi i pronës dhe kundërshtimi i punonjësve të Policisë, deri te prishja e rendit publik dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në incident, me synimin për t’i vënë ata përpara përgjegjësisë ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



