Tjetër pandemi? Shpërthen virusi vdekjeprurës nga lakuriqët e natës
Autoritetet shëndetësore indiane kanë ngritur nivelin e gatishmërisë pas identifikimit të tre rasteve të konfirmuara me virusin vdekjeprurës Nipah në shtetin e Bengalit Perëndimor, në afërsi të qytetit Kolkata. Sipas burimeve zyrtare, të prekurit janë pjesë e stafit mjekësor: një mjek, një infermiere dhe një punonjës tjetër shëndetësor. Ndërkohë, një pacient i infektuar ndodhet në gjendje kritike.
Për të frenuar përhapjen e mundshme të virusit, autoritetet kanë vendosur në izolim rreth 20 persona që kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë, ndërsa më shumë se 180 individë janë testuar në mënyrë parandaluese.
Virusi Nipah është një sëmundje zoonotike, që transmetohet nga kafshët te njerëzit, kryesisht përmes lakuriqëve të natës dhe derrave, por në raste të caktuara edhe përmes kontaktit njerëzor. Shenjat e para përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje koke, lodhje muskulore, të vjella dhe dhimbje fyti. Në një fazë të avancuar, infeksioni mund të prekë rëndë sistemin e frymëmarrjes dhe trurin, duke çuar në encefalit akut dhe, në rastet më ekstreme, në koma brenda 48 orësh.
Shkalla e vdekshmërisë mbetet alarmante, duke u luhatur nga 40 deri në 75 për qind, ndërsa aktualisht nuk ekziston as vaksinë dhe as trajtim specifik kundër këtij virusi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka futur Nipah në listën e patogjenëve prioritarë, duke kërkuar hetime të thelluara dhe përshpejtim të zhvillimit të një vaksine. Specialistët theksojnë se shpërthime të tilla lidhen ngushtë me ndërhyrjen e njeriut në ekosisteme dhe me ndryshimet mjedisore.
India raporton pothuajse çdo vit raste sporadike të virusit Nipah, veçanërisht në shtetin Kerala. Virusi u identifikua për herë të parë në vitin 1999 në Malajzi dhe Singapor, ku shkaktoi dhjetëra viktima dhe ngriti alarmin global për rrezikun e sëmundjeve zoonotike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



