U kafshua për vdekje nga qeni, arrestohet kunati i viktimës
Një ditë pas ngjarjes së rëndë në zonën e Cërrikut, ku një grua 65-vjeçare humbi jetën pasi u sulmua nga një qen, policia ka vënë në pranga pronarin e kafshës.
Viktima, Emine Agolli, ndërroi jetë pas plagëve të marra nga kafshimi, ndërsa këtë të enjte (5 shkurt) autoritetet arrestuan pronarin e qenit, i cili rezulton të jetë kunati i saj, vëllai i bashkëshortit. Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet G. A., 68 vjeç.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Elbasanit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Cërrik ndërhynë menjëherë pas ngjarjes dhe kryen arrestimin në flagrancë të të moshuarit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin G. A., 68 vjeç, pasi dje, qeni që ai mbante, ka kafshuar shtetasen E. A., 65 vjeçe (bashkëshortja e vëllait të tij), e cila për pasojë ka humbur jetën”, njoftoi policia.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë ende në vijim, ndërsa nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi dinamikën e incidentit. Megjithatë, burimet zyrtare sqarojnë se plaga e marrë nga viktima ishte tejet e rëndë, pasi kafshimi i qenit i ka dëmtuar arterien kryesore në zonën e kofshës, duke shkaktuar hemorragji të fortë dhe humbje fatale gjaku.
Ngjarja tragjike ndodhi në fshatin Çërragë të Belshit. 65-vjeçarja u sulmua në pjesën e këmbës nga qeni dhe pësoi gjakderdhje të rëndë. Pavarësisht ndihmës së dhënë dhe përpjekjeve për ta transportuar për trajtim mjekësor, ajo nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë dhe rrethanat e sakta të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


