U transferua tek Juventus, zbulohet biseda e Zhegrovës me Ramën
Edon Zhegrova bëri një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos së verës, pasi në orët e fundit të afatit kaloi zyrtarisht te gjiganti italian, Juventus. Transferimi i yllit të Kosovës u mundësua edhe falë pajisjes së tij me pasaportë shqiptare, që i lehtësoi regjistrimin në klubin torinez.
Në një intervistë për “Shqipëria Live”, nëna e futbollistit, Sanije Zhegrova, ka rrëfyer emocionet, prapaskenat dhe rolin që luajti kryeministri Edi Rama në këtë proces.
“Ka qenë një verë shumë stresuese. Shumë klube ishin të interesuara – Dortmundi, Marseja – por kur doli Juventusi, ne e dinim që ishte e duhura. Kur Edoni na tha se do të shkonte atje, ishte një moment i papërshkrueshëm,” – tregon ajo.
Sanije Zhegrova shton se familja i qëndron gjithmonë pranë djalit dhe se prej transferimit në Torino, janë zhvendosur për të jetuar me të.
“Qëkur ka qenë i vogël, unë dhe bashkëshorti im Lulëzimi kemi qenë gjithmonë pranë tij. Tani jetojmë bashkë me Edonin në Torino. Ai gjithmonë kërkon vendin ku jemi ulur në stadium dhe na dërgon puthje para ndeshjes.”
Mamaja e Zhegrovës ka treguar edhe mënyrën se si u zgjidh çështja e pasaportës, që i hapi rrugën kalimit në Serie A.
“Juventusi na tha se me pasaportë shqiptare procesi do të ishte më i lehtë. Edoni i dërgoi një mesazh kryeministrit Edi Rama, të cilit i jam pafundësisht mirënjohëse. Rama iu përgjigj menjëherë: ‘Respekt. E kryer është.’”
Ajo shton se gjithçka u mbyll brenda pak ditësh, në një kohë kur merkatoja po mbyllej:
“Na thanë që pasaporta zakonisht del për dy javë, por na e bënë gati për dy ditë. Edoni i shkroi Ramës më pas: ‘Nuk di si ta falënderoj’, dhe Rama i tha: ‘Asgjë s’dua, vetëm një fanelë të Juventusit.’”
Në debutimin e Zhegrovës me Juventusin, në stadium ishte i pranishëm edhe vëllai i kryeministrit Rama, të cilit futbollisti i dhuroi fanellën e parë bardhezi.
“Jam thellësisht mirënjohëse ndaj kryeministrit dhe shtetit shqiptar për ndihmën dhe përkrahjen,” përfundoi Sanije Zhegrova.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



