E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ushtria amerikane  njofton eliminimin e udhëheqësit ushtarak të Al-Kaidës në Siri
Lajme

Ushtria amerikane njofton eliminimin e udhëheqësit ushtarak të Al-Kaidës në Siri

Ushtria amerikane njoftoi të shtunën eliminimin e një komandanti të lartë ushtarak të organizatës terroriste Hurras al-Din, një degë siriane e Al-Kaidës e cila njoftoi shpërbërjen e saj në janar.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara, CENTCOM, e ngarkuar për forcat amerikane në Lindjen e Mesme, tha përmes një deklarate se më 23 shkurt, forcat e saj “ndërmorën një sulm ajror me saktësi të lartë në pjesën veriperëndimore të Sirisë, duke vënë në objektiv dhe eliminuar Muhammed Yusuf Ziya Talay, udhëheqës i lartë ushtarak i organizatës terroriste Hurras al-Din”.

“Siç kemi thënë në të kaluarën, ne do të vazhdojmë t’i gjurmojmë pa pushim këta terroristë për të mbrojtur atdheun tonë dhe personelin e aleatëve dhe partnerëve amerikanë në rajon”, tha Gjenerali Michael Erik Kurilla, shef i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, CENTCOM.

Që kur organizata Hurras al-Din njoftoi në fund të janarit se po shpërbëhej, sulmet ajrore amerikane kanë vrarë disa nga udhëheqësit e grupit, sipas njoftimeve nga CENTCOM.

Më 22 shkurt, ushtria amerikane tha se përmes një sulmi ajror kishte eliminuar Wasim Tahsin Bayraqdar, një udhëheqës i grupit të klasifikuar organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Forcat amerikane ndodhen në Siri si pjesë e një koalicioni ndërkombëtar të krijuar në vitin 2014 për të luftuar xhihadistët e grupit të vetëquajtur Shteti Islamik.

Pasi një aleancë rebele e udhëhequr nga grupi radikal islamik Hayat Tahrir al-Sham rrëzoi presidentin Bashar al-Assad dhe mori pushtetin në Damask më 8 dhjetor, organizata Hurras al-Din tha se nuk kishte më nevojë të ekzistonte. Grupi, ku përfshiheshin edhe xhihadistë të huaj, i kishte bazat në pjesën malore të Sirisë veriperëndimore. (VOA)

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.