Vaksina e Covid-it, dy kompanitë farmaceutike bëhen bashkë për të fituar autorizimin e përdorimit
Dy kompanitë farmaceutike, Pfizer dhe BioNTech dorëzuan ditën e sotme në Administratën Ushqimore dhe Barnave të SH.B.A.-së kërkesën për autorizimin e përdorimit emergjent të vaksinës së koronavirusit. “Është me shumë krenari dhe gëzim dhe madje pak lehtësim që mund të them se kërkesa jonë për autorizimin e përdorimit emergjent për vaksinën tonë Covid-19 tani është në duart e FDA,” tha CEO i Pfizer Albert Bourla në një video të shpërndarë në rrjetet sociale. “Kjo është një ditë historike, një ditë historike për shkencën dhe për të gjithë ne.
U deshën vetëm 248 ditë nga dita kur ne njoftuam planet tona për të bashkëpunuar me BioNTech deri në ditën tonë të dorëzimit të FDA. Ne kemi operuar me shpejtësi të jashtëzakonshme në programin tonë të zhvillimit klinik, nga koncepti te regjistrimi rregullator, duke mbajtur gjithnjë fokusin tonë në siguri.” Vaksina, e njohur si BNT162b2, mund të jetë potencialisht e disponueshme për përdorim në popullatat me rrezik të lartë në Shtetet e Bashkuara nga mesi deri në fund të dhjetorit. Vaksina do të aplikohet në dy doza disa javë larg nga njëra-tjetra.
Dorëzimi në FDA bazohet në rezultatet e provës klinike të Fazës 3 të vaksinës së Pfizer, e cila filloi në Shtetet e Bashkuara më 27 korrik dhe regjistroi më shumë se 43,000 vullnetarë. Analiza përfundimtare nga prova zbuloi se vaksina e koronavirusit ishte 95% efektive në parandalimin e infeksioneve, madje edhe tek të rriturit e moshuar, dhe nuk shkaktoi shqetësime serioze të sigurisë. Dorëzimi përfshin gjithashtu të dhëna të sigurisë për rreth 100 fëmijë të moshave 12 deri në 15 vjeç.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



