VIDEO/ Dalin pamjet e vrasjes me thikë të Egli Pashollarit
Janë publikuar pamjet nga momenti i vrasjes së 31-vjeçarit Egli Pashollari, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, pranë zonës së njohur si ish-Parku, në Tiranë.
Fillimisht, u aludua se krimi kishte ndodhur për shkak të ngacmimeve të vazhdueshme që viktima dyshohej se i kishte bërë bashkëshortes së autorit të dyshuar, Gazment Buçpapaj. Megjithatë, kjo pistë është rrëzuar nga hetimet paraprake.
Dëshmia e bashkëshortes
Sipas deklarimit të bashkëshortes së Buçpapajt, shkak i konfliktit ka qenë bllokimi i rrugës. Ajo ka treguar se i shoqi kishte shkuar për ta marrë nga puna – ku ajo punonte si menaxhere në një market në zonën e ish-Parkut – për ta çuar më pas në një vizitë mjekësore.
Në momentin që ajo kishte hipur në automjet, rruga rezultonte e bllokuar nga makina e viktimës. Sipas saj, Buçpapaj i ka rënë borisë për t’i kërkuar hapjen e rrugës, ndërsa 31-vjeçari ka zbritur nga mjeti dhe e ka sharë e ofenduar, duke bërë që situata të përshkallëzohej.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40.
Momentet e sulmit
Nga pamjet e siguruara, shihet momenti kur Pashollari ndalon automjetin në mes të rrugës dhe zbret prej tij. Më pas, Buçpapaj afrohet dhe, në prani të bashkëshortes, e sulmon fizikisht duke e goditur me thikë. Në video shfaqet edhe një person i tretë që tenton të ndërhyjë për t’i ndarë.
Sipas hetimeve, gjatë përplasjes fizike, Buçpapaj e ka goditur me thikë 31-vjeçarin, duke i shkaktuar plagë të rënda. Pavarësisht transportimit me urgjencë në spital, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Pas ngjarjes, 40-vjeçari është larguar së bashku me bashkëshorten në rrugicat e zonës dhe aktualisht është i shpallur në kërkim nga policia.
E kaluara e viktimës
Egli Pashollari kishte qenë më parë gardian burgu dhe ishte përfshirë në një rast të tentativës për të futur alkool në qeli për Emiljano Shullazi. Ai konsiderohej si një nga personat me kontakte të afërta me të gjatë kohës së vuajtjes së dënimit.
Pashollari ishte me origjinë nga Maliqi, por prej vitesh jetonte në kryeqytet, ku njihej me nofkën “Çerri i Parkut”. Ai kishte miqësi të ngushtë edhe me Gilmando Dani, i vrarë në atentatin e Rinasit.
Hetuesit po vijojnë punën për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa motivi i saktë i konfliktit mbetet ende objekt verifikimi nga organet ligjzbatuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



