Merr fund arratia, arrestohet në Tropojë vrasësi i Egli Pashollarit
olicia e Shtetit ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së 31-vjeçarit Egli Pashollari, ngjarje e ndodhur 11 ditë më parë në zonën qendrore të Tiranës. Pas një hetimi intensiv dhe ndjekjeje në terren, operacioni i koduar “Distanca” çoi në kapjen e 40-vjeçarit Gazment Buçpapa në Tropojë.
Sipas burimeve zyrtare, Buçpapa ishte shpallur në kërkim që prej datës 20 shkurt, kur pas një konflikti të çastit në rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë, dyshohet se goditi me thikë Pashollarin, duke i shkaktuar plagë fatale. Pas ngjarjes, ai u largua nga vendi i krimit dhe u fsheh në vendlindjen e tij, ku u mbajt nën vëzhgim deri në momentin e ndërhyrjes nga forcat e rendit.
Krimi ndodhi në mes të ditës, në momentin kur viktima sapo kishte dalë nga automjeti i tij. Hetimet paraprake tregojnë se konflikti nisi pas një debati verbal, ku dyshohet se ishte e pranishme edhe bashkëshortja e autorit. Përplasja degradoi në përdorim të thikës, me pasoja fatale për 31-vjeçarin.
Në njoftimin zyrtar, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë bëri me dije se ndalimi u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Tiranës. 40-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Ndërkohë, pritet që i arrestuari të dalë para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



