Egla Ceno Mes dy pasqyrave: aktorja që luan rolin e vet
Në një vend ku gjithçka bëhet “për show”, Egla Ceno duket se ka arritur të kthejë edhe dhimbjen në skenë. Ish-banorja më e përfolur e Big Brother, që dikur shpërtheu në lot për një ngacmim të supozuar 30 vite më parë nga moderatori Saimir Kodra, sot na del me një tjetër version të vetes — një Egla krejt ndryshe, që s’e ka prekur kurrë padrejtësia dhe që madje ironizon gratë që denoncojnë.
Në spektakël, ajo foli si një heroinë e dhimbjes dhe guximit, një zë që ngrihet kundër abuzimit dhe heshtjes. Por, në një podcast të disa muajve më parë, po ajo Egla deklaronte me qetësi olimpike:
“Në gjithë jetën time nuk kam pasur asnjëherë ngacmim seksual në punë. Dhe nëse do të më kishte ndodhur, do të kisha shkuar direkt në polici.”
Pra, në një rast, kemi Eglën që qan për drejtësi. Në tjetrin, Eglën që tallet me ata që flasin për drejtësi. Njëra version televiziv, tjetra version “online”, si dy aplikacione të ndryshme të të njëjtit personazh.
Tani, ajo del sërish në publik, duke thënë se “është në proces gjyqësor vetëm pse ka folur”, duke u paraqitur si flamurtare e grave të dhunuara, me tonin e një viktime të një sistemi mizor. Por publiku, që ka kujtesë më të gjatë se spektakli, pyet me të drejtë:
Kur foli Egla e vërtetë?
Kur ishte ajo që s’kishte përjetuar kurrë dhunë, apo kjo që sot ngre flamurin e revoltës?
Në fund të ditës, e vetmja gjë e sigurt është se Egla Ceno di të luajë rolet më mirë se kushdo. Herë si aktore, herë si viktimë — por gjithmonë në dritat e reflektorëve. Dhe ndoshta, në vend që të kërkojmë të kuptojmë se cila Egla është e vërtetë, duhet të kuptojmë se show-biz-i shqiptar nuk ka më nevojë për skenarë: mjafton realiteti.
A është kjo një “kauzë për gratë e dhunuara”, apo thjesht një tjetër skenë nga seriali pa fund i dyfytyrësisë publike?
Në rastin e Eglës, edhe dhimbja ka një “audiencë prime-time”.



